SPORT

Setien mundohët të argëtojë Messin

Kritikat e Lionel Messit drejt drejtorit sportiv të Barcelonës, Eric Abidalit, kanë bërë që seanca stërvitore e sotme klubit katalonas, që u zhvillua nën drejtimin e trajnerit Quique Setien, të jetë në qendër të vëmendjes.

E përditshmja spanjolle Marca raporton se trajneri i ri Quique Setien ka tentuar ta përmirësojë atmosferën dhe t’i ulë tensionet në stërvitjet e sotme të Barcelonës.

Ai tentoi ta arrijë këtë qëllim duke e luajtur një lojë bashkë me skuadrën. Lojtarët u grumbulluan dhe duhej t’ia gjuanin topin njëri-tjetrit dhe të thonë diçka qesharake para se ta kalonin topin te një bashkëlojtar.

Përderisa në seancën stërvitore raportohet se kishte të qeshura dhe atmosferë të mirë, Marca thekson se Messi hyri në fushën stërvitore me “fytyrë serioze”.

Gerard Pique është duke u stërvitur i vetëm brenda, duke lënë të kuptohet se ai mund ta ketë pësuar ndonjë lëndim që ia bën të pamundur të luajë në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos.

Dita e martë nuk ishte një ditë e lumtur për tifozët e Barcelonës. Ata fillimisht e morën lajmin për lëndimin e Ousmane Dembeles, i cili mund të mos kthehet deri në fund të sezonit. Pas kësaj dolën lajmet se Barcelonës do t’i lejohej transferimi i një sulmuesi, për aq kohë sa francezi të konfirmohet se do të mungojë për pesë muaj.

Jo shumë më vonë doli intervista e Eric Abidalit, ku ai i kritikoi lojtarët duke thënë se s’kishin punuar mjaftueshëm dhe kjo kishte ndikuar që trajneri Ernesto Valverde të shkarkohet. Kjo deklaratë e provokoi reagimin e ashpër të Messit, që e ka futur Barcelonën në një krizë.

“Sinqerisht, mua nuk më pëlqen ta bëj këtë, ama mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e vet dhe ta marrin përgjegjësi për vendimet e veta”, shkroi Messi në Instagram.

“Lojtarët janë përgjegjës për atë që ndodh në fushë, ne po ashtu, jemi të parët që e pranojmë kur nuk luajmë mirë. Edhe ata që udhëheqin me drejtorinë e sportit duhet të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha, t’i marrin vetë vendimet që u takojnë”, shtoi ai.

“Për fund, mendoj se kur flet për lojtarët, duhet të thuash emra sepse ndryshe po ia njollos emrin secilit dhe po i ushqen thashethemet që shpërndahen dhe nuk janë të vërteta”, përfundoi argjentinasi.