Kosova

Serweri e sheh përplasjen ShBA-BE si pengesën kryesore për dialogun Kosovë-Serbi

Pengesa më e madhe për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë janë raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, sipas njohësit amerikan të çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.

Në një koment për parimet e Qeverisë Hoti për dialogun, Serweri ka përgëzuar kryeministrin Avdullah Hoti për parimet që integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm; se organizimi shtetëror dhe kushtetues është i panegociueshëm e se marrëveshja duhet të jetë në frymën e aktit më të lartë juridik.

Serwer ka lavdëruar edhe qëndrimin se dialogun duhet ta udhëheqë kryeministri, ndërsa ka theksuar se ende është pikëpyetje nëse “Thaçi do të tërhiqet nga angazhimi i kahershëm me presidentin Aleksandar Vuçiq në dialog, që ka qenë në shumicë joproduktiv që nga 2013-a, dhe nëse një marrëveshje mund të arrihet sipas vijave të caktuara nga Hoti”.

Ai ka vlerësuar qëndrimin e Hotit që të ftojë edhe partitë politike që s’janë pjesë e koalicionit qeverisës, teksa ka theksuar se Hotit do t’i duhet përkrahje më e gjerë në Kuvend, pos 61 votave që i pati si minimum për të formuar qeverinë.

Megjithatë, Serwer ka thënë se nga ana e Serbisë nuk mund të ofrohet shpresë për arritjen e një marrëveshjeje duke iu referuar qëndrimit të presidentit serb se “nëse vetëm kërkohet – që Serbia ta njohë Kosovën, t’i japë fund kësaj çështjeje, sigurisht se s’do të ndodhë”.

Sipas Serwerit, megjithatë, qëndrimi i palës serbe mund të ndryshojë pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit.

“Në fund, pengesa më e madhe për marrëveshje mund të jenë raportet mes ShBA-së dhe BE-së. Ata janë në mes të një lufte se kush duhet të udhëheqë dialogun. Zgjidhja e duhur është që ata të bashkëpunojnë, por negociatori amerikan është kritik i BE-së në përgjithësi dhe Gjermanisë në veçanti, përderisa evropianët kanë dy negociatorë nga shtetet që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas Serwerit, në shikim të parë, ky nuk duket si kombinim fitues, por “ndoshta shpresa e presidentit Donald Trump për një ceremoni para zgjedhjeve të 3 nëntorit, mund të gjenerojë një momentum”.

Serwer ka përfunduar se marrëveshja mund të përfshijë edhe marrëveshjen për mos të dënuar krimet e luftës “diçka që duket se Beogradi dhe Prishtina të jenë pajtuar”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.