SPORT

Sërish ndryshohet data e Botërorit të atletikës

Organizatorët e Botërorit 2022 të atletikës janë pajtuar të organizojnë ngjarjen e madhe tri javë më herët se që kanë planifikuar, për të krijuar hapësirë për Lojërat e Komonuellthit në Birmingham, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Kampionati Botëror që do të mbahet në Oregon të ShBA-së, ishte shtyrë për një vit pas shtyrjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020” për verën e vitit të ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pas një javë negociata, është arritur një marrëveshje që të organizohet Botërori i atletikës nga 15 deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ndërkohë datat për Lojërat e Komonuellthit të vitit 2022 në Birmingham do të mbeten të njëjtat, 27 korrik deri 7 gusht.

Federata Botërore e Atletikës ka thënë se ky ndryshim do të evitojë një përplasje të orareve me ngjarjet tjera të mëdha.

Presidenti i federatës, Lord Sebastian Coe, ka thënë se organizatorët e Lojërave të Komonuellthit planifikonin të organizonin garat e atletikës nga fundi, për këtë arsye u detyruan të bëjnë lëvizje të datave.

Po ashtu pas këtyre dy ngjarjeve do të organizohet edhe Kampionati Evropian më 11 gusht në Gjermani.

“Do të jetë një mundësi e madhe për të promovuar sportin tonë dhe yjet tanë nëpër botë gjatë një periudhe të shkurtër”, ka thënë Coe. “Parimi ynë prapa këtij ndryshimi të orarit ishte që të siguronim mjaftueshëm hapësirë që atletët të mund të garonin edhe në ngjarjet tjera të mëdha. Ne nuk kemi dashur të dëmtojmë kampionatet tjera të mëdha në vitin 2022”, është thënë nga Coe.