KULTURË

Seriali që ‘flet’ shqip

Të dielën e kaluar, në rrjetin televiziv me parapagim, ‘HBO-max’, u dha premiera e serialit norvegjez “Welcome to Utmark”, pjesë e të cilit janë edhe aktoret nga Kosova, Majlinda Kasumoviç dhe Rozafa Çelaj.

Të dy aktoret kosovare, luajnë rolin e dy shqiptareve të trafikuara në Norvegji dhe ato flasin kryesisht gjuhen shqipe në rolet e tyre.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, aktorja Majlinda Kasumoviç, tregon se si ajo dhe Rozafa Çelaj, u bënë pjesë e serialit ‘Welcome to Utmark’, të skenaristit danez, Kim Fupz Aakeson.

Radio Evropa e Lirë: Cila ka qenë rruga për t’u bërë pjesë e një seriali ndërkombëtar?

Majlinda Kasumoviç: Në qershor të vitit 2019 e mora një e-mail nga agjentja tashmë zyrtare e jona nga Sarajeva, e cila vazhdimisht më kishte dërguar audicione të ndryshme. Për shkak të distancës, të gjitha audicionet që i kisha bërë me të ishin online (self-tape auditions). Ky audicion ka vazhduar në tri faza, ku i fundit ishte në Oslo (Norvegji). Bashkë me Rozafën (Çelaj), pas përfundimit të audicionit, jemi kthyer në Prishtinë dhe pas tri javësh e morëm përgjigjen nga udhëheqësit e serialit.

Radio Evropa e Lirë: Bashkë me ju në këtë projekt është edhe aktorja tjetër kosovare, Rozafa Çelaj. Si u bë që ju të dyja bashkë të jeni pjesë e këtij seriali?

Majlinda Kasumoviç: Që të dyja ishin në audicion, pastaj në fazën e fundit në Oslo, ku ishim vetëm unë edhe Rozafa, audicioni e kishte qëllimin e vlerësimit të kimisë mes ne dyjave. Po besoj që edhe ky ka qenë një prej shumë faktorëve.

Radio Evropa e Lirë: Si do të paraqitet dhe në sa episode do të luani ju në këtë serial?

Majlinda Kasumoviç: Të dyja, unë dhe Rozafa, do të luajmë në shtatë episode. Seriali ka gjithsej tetë episode.

Radio Evropa e Lirë: Roli që keni në këtë serial, është krejt e ndryshe prej asaj që iu njeh publiku i gjerë në Kosovë. Sa ka qenë i vështirë kalimi nga një̈ personazh komik në një viktimë të trafikimit të qenieve njerëzore?

Majlinda Kasumoviç: Profesionin e kemi të tillë, të transformohemi prej një roli në rolin tjetër. Është diçka që mund të jetë e vështirë natyrisht, por njëkohësisht shumë kënaqësi.

Radio Evropa e Lirë: Nga bashkëpunimi që keni parë me skenaristin danez dhe produksionin e këtij seriali, cila është karakteristika e punës së tyre që ju ka impresionuar më së shumti, e cila nuk është në praktikën e punës së aktorëve kosovarë?

Majlinda Kasumoviç: Natyra e punës në një serial, e sidomos në një platformë të tillë si HBO, është ndryshe për shkak të ritmit fillimisht. Gjithçka është shumë më intensive. Aktorët gjithashtu janë prioritet dhe shumë të privilegjuar.

Radio Evropa e Lirë: Viteve të fundit, arti kosovar ka depërtuar shumë në arenën ndërkombëtare. A ka shërbyer suksesi i aktorëve të Kosovës si referencë e mirë që ju të jeni pjesë e kastit të aktorëve të tjerë të huaj? A kanë dëgjuar ata më parë për aktorët kosovarë?

Majlinda Kasumoviç: Secili sukses në Kosovë, sidomos në fushën e artit e të kulturës, na shërben të gjithëve dhe na ofron mundësi të reja ndërkombëtare.