Kosova

Serbia “çohet në këmbë” pas deklaratës së zyrtarit të MPJ’së, i cili tha Gjuriq është mbetje nacionaliste

Ministria e Punëve të Jashtme kë konfirmuar se i kanë dhënë leje për të hyrë në Kosovë, drejtorit të të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriqit. Nga MPJ ndërkaq kanë dënuar gjuhën që Gjuriq ka përdorur kur ka folur para qytetarëve serb të Kosovës.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë, Jetlir Zyberaj ka konfirmuar se Marko Gjuriq kishte marrë leje për të hyrë në Kosovë.

“Marko Gjuriq, ka kërkuar leje konform marrëveshjes së Brukselit për hyrje në Kosovë. Bazuar në këtë marrëveshje, atij i është mundësuar vizita në Mitrovicën e Veriut dhe në Leposaviq”, tha ai.

Megjithatë, Zyberaj shton se dënojnë deklaratat e tij të cilat janë në kundërshtim me qëllimin për të cilën i është dhënë leja e vizitës.

“Deklaratat e tilla që janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin i është dhënë leja janë vetëm një tregues i qartë për bashkësinë ndërkombëtare që refuzimi i vizitave të tilla kohë pas kohe është i duhur. Dhe kjo gjë do të ndodhë në të ardhmen. Partnerët tanë nga BE fare nuk duhet të bëjnë presion në të ardhmen për lejimin e vizitave të një mbeturine nacionaliste serbe sikurse Gjuriq. BE ka dështuar totalisht dhe ne do te rishikojmë këtë raport tonin sa i përket koordinimit. Ne Shtetin tonë këto gjëra nuk do të tolerohen”,ka thënë Zyberaj për Express.

E për këtë deklaratë të Zyberajt ka reaguar ashpër zëvendësi i Gjuriqit, Dushan Kozarev i cili ka folur në emër të Gjuriqit.

“Jetlir Zyberaj është njëri nga urrejtësit më të mëdhenj të serbëve në Kosovë, dhe me gjuhën e sotme të urrejtjes vetëm sa e ka shprehur dëshirën e tij më intime dhe më të sëmurë të ndjenjave të tij shovinist”, ka thënë ai për Kossev, transmeton Kosova.info.

“Zyberaj nuk është rast i izoluar apo vetëm një individ, ai sot është fotografia e rrejshme e “Republikës së Kosovës”, kurse e arritura më e madhe jetësore është ndalimi i ndeshjes së juniorëve të KK Proletarac dhe KK Ras dhe ekspozitës së fotografive të artistes Suzana Stojadinoviq. Duket se e tërë elita politika shqiptare në Kosovë duhet të sherohet kolektivisht nga denacifikimi”, ka thënë tutje ai.

Të kujtojmë se Gjuriq sot nga Mitrovica ka dhënë edhe disa deklarata kërcënuese drejtuar Albin Kurtit, kreut të VV-së.

Gjuriq ka thënë se politikani i vrarë serb, Oliver Ivanoviq, nuk ka qenë kriminel lufte dhe ka thënë se Albin Kurti duhet t’i tërheqë fjalët.

“Oliver Ivanoviqi s’ka qenë kriminel lufte, Ivanoviq ka qenë përfaqësues dhe lider i popullit serb në kohët më të vështira, ka luftuar për interesin e tyre dhe ka bërë sakrificën më të madhe që një njeri mund ta bëjë”, ka thënë Gjuriq.

Tutje Gjuriq ka thënë se pret sqarime shtesë nga Kurti për atë deklaratë, pasi sipas tij një deklaratë e tillë jo vetëm që është një shpifje për të cilën Ivanoviqi nuk mund të mbrojë veten, por “është edhe kundër gjithë atyre që mbrojnë popullin e tyre në mënyrën më të ndershme”.

Gjuriq sot ka qëndruar në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë sipas agjendës do të realizojë vizita në komunat veriore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.