Kombëtare

Serbët vizitojnë për Krishtlindjet Ortodokse disa vende në Rahovec, banorët lokalë kundër

Ndryshe nga vitet e kaluara, pelegrinët serbë në komunën e Rahovecit, këtë vit kanë ardhur për të vizituar familjarët e tyre në mënyrë të heshtur, pa ndonjë organizim.

Ata që nga mëngjesi, kanë qëndruar në qytetin e Rahovecit, duke festuar Krishtlindjen ortodokse, e duke vazhduar vizitën edhe në Kishat që gjenden në këtë komunë, më pas në familjet e tyre, raporton KTV.

Sipas zyrtarëve policorë, aktivitetet fetare janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe se nuk është shënuar asnjë incident në këtë pjesë, gjatë së hënës.

“Njoftoheni se nuk pasur ardhje të pelegrinëve në mënyrë të organizuar. Aktivitetet fetare po vazhdojnë në mënyrë të rregullt dhe nuk është shënuar asnjë incident. Policia e Kosovës sipas planit, është e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Lirije Podrimaj- Beqiri nga Policia e Kosovës në Gjakovë.

Në fshatin Zoqishtë të kësaj komune, është edhe Kisha Ortodokse, e cila vizitohet çdo vit nga pelegrinët serbë, kishë kjo që menaxhohet nga Kisha Ortodokse në Serbi.

Përveç kishës, që nga vitit 2005 në këtë fshat janë të ndërtuara 34 shtëpi për familjet serbe, të cilat u shkatërruan pa jetuar askush në to.

Banorët e këtij fshati, duke mos dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se pelegrinët, edhe pse nuk janë të mirëseardhur në këtë vend, vijnë në vizitë çdo vit dhe se këtë ua kanë lënë në dorë institucioneve.

Ardhjen e tyre në Kosovë e kanë kritikuar edhe familjarët e personave të pagjetur, të cilët u vranë gjatë luftës në Kosovë.

Derisa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht për ardhjen e tyre, por që ka kërkuar nga institucionet që të kenë më shumë kujdes se kush hyn në Kosovë.

Ekipi i KTV-së ka qëndruar edhe në fshatin Hoçë e Madhe, fshat ky i cili është i banuar vetëm me familje serbe, e që është vizituar edhe nga pelegrinët serbë, ndonëse kjo vizitë u bë në diskrecion të madh.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.