Senati francez miraton reformën në pensione të Macronit

Të shtunën në mbrëmje, me 195 vota pro dhe 112 kundër, senati francez ka miratuar planin e reformës në pensione të presidentit Emmanuel Macron.

Dispozita kryesore e këtij projektligji është rritja e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.

Dhoma e lartë e parlamentit francez votoi për reformën pas ditës së shtatë të protestave mbarëkombëtare kundër këtij plani. Shumica e qytetarëve janë kundër reformës së propozuar, sipas sondazheve të opinionit publik.

Projektligji pritet të shqyrtohet më 15 mars nga komisioni i përbashkët i përfaqësuesve të dhomës së ulët dhe të lartë të parlamentit.

Nëse komiteti bie dakord për tekstin, një votim përfundimtar në të dyja dhomat mund të bëhet të enjten, por rezultati i votimit mbetet i pasigurt në dhomën e ulët, Asamblenë Kombëtare, ku partisë së Macronit i duhen votat e aleatëve për të krijuar shumicën.

Nëse Qeveria vlerëson se nuk ka vota të mjaftueshme në dhomën e ulët, është e mundur që teksti të shtyhet përpara pa votim parlamentar.

Aleanca e qendrës e Macronit ka humbur shumicën parlamentare vitin e kaluar, megjithatë përbën ende grupin më të rëndësishëm në Asamblenë Kombëtare.

Përndryshe, Qeveria mund të shfrytëzojë një kompetencë të veçantë për ta kaluar ligjin pa votim, por një veprim i tillë do të vinte me çmimin e kritikave të mëdha.

Qeveria synon ta miratojë projektligjin deri në verë, në mënyrë që ndryshimet të hyjnë në fuqi në shtator.

Greva dhe protesta të tjera në të gjithë vendin janë planifikuar për të mërkurën, më 15 mars, kur pritet shqyrtimi i projektligjit.

Franca ka moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror në mesin e ekonomive më të mëdha evropiane.

Pensioni mesatar është 1.400 euro në muaj, pasi të zbriten taksat.

Qeveria ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të garantuar të ardhmen e financimit të sistemit pensional, që pritet të kalojë në deficit në vitet e ardhshme – për shkak të plakjes së popullsisë.

Go to TOP