Bota

Senati e shfajëson presidentin Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u lirua nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra.

Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij.

Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat.

Për akuzën e parë – abuzim të pushtetit – 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij.

Ndërkaq, për akuzën e dytë – pengim të punës së Kongresit – 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim.

Për shkarkimin e presidentit nga detyra do të duheshin dy të tretat e votave të Senatit prej 100 anëtarësh.

Nga Partia Republikane vetëm Mitt Romney votoi për fajësimin e tij për abuzim të pushtetit.

Akuzat kundër Trumpit janë ngritur në muajin dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e udhëhequr nga demokratët.

Në janar, çështja ka kaluar në Senat, ku akuzuesit dhe ekipi mbrojtës i presidentit kanë paraqitur argumentet e tyre.

Trump është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që është përballur me mundësinë e fajësimit nga Senati dhe rrjedhimisht shkarkimin nga detyra.

Sipas akuzave të ngritura, Trump i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalin e tij politik, Joe Biden.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump është akuzuar për mbajtjen e dy gjërave pezull: të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe të një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump është akuzuar edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Si ka nisur procesi i shkarkimit?

Ankesa formale e një informatori ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit në fillim të shtatorit të vitit të kaluar.

Informatori – një zyrtar i paidentifikuar i inteligjencës – ka shprehur shqetësimin e tij për një bisedë që presidenti Trump ka zhvilluar me presidentin e Ukrainës, Zelensky, më 25 korrik të vitit të kaluar.

Një transkriptim i përafërt i kësaj bisede ka zbuluar se Trump i ka kërkuar Zelenskyt të hetojë për korrupsion Joe Bidenin dhe djalin e tij, Hunter.

Në dhjetor, Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA i ka ngritur akuzat formale kundër Trumpit.

“Gjueti shtrigash”

Trump e ka mohuar çdo keqbërje, ndërsa hetimet kundër tij i ka cilësuar vazhdimisht si “gjueti shtrigash”.

Ai ka mohuar se ka përdorur ndihmën ushtarake amerikane si pazar me Zelenskyn dhe ka këmbëngulur vazhdimisht se biseda e tij me liderin e Ukrainës ka qenë “perfekte”.

Në disa raste, Trump ka thënë se procedura për shkarkimin e tij është “turp” dhe “përpjekje për grushtshtet”.

Presidentët amerikanë që u përballën me procedura të shkarkimit

Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.

Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.

Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.

Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.

Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.