Kosova

Sekretari Krasniqi: Këto janë vendimet për ata që lejuan transmetimin live në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, aktivitetin e PDK-së

Reagon sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, një ditë pas transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook.

Pas transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, kërkesën e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani e ka zbatuar sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili ka ndërmarrë masa.

Sipas njoftimit të Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi, është iniciuar procedurë disiplinore për menaxherin e kontratës, si dhe pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”.

Njoftimi i plotë:

Njoftim i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi

Në vazhdën e reagimit dhe të kërkesës së kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, lidhur me çështjen e transmetimit të drejtpërdrejtë të një aktiviteti të Partisë Demokratike të Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka ndërmarrë masat si në vijim:

1.     Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës.

2.     Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”.

3.     Iniciohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit. Zbatimi i këtyre masave fillon menjëherë.