Kosova

Sejdiu numëron arsyet që sipas tij çuan në humbjen e PSD-së

Dardan Sejdiu nga PSD-ja ka numëruar disa arsye që, sipas tij, çuan në dështimin e kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, në koalicion me AAK-në.

Nga 12 deputetë sa ishin në fund të legjislaturës së shkuar, PSD-ja ka vetëm një deputete në legjislaturën e re.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se arsye e parë ishte “mënyra se si kishin dalë nga Vetëvendosje”.

“Mënyra se si dolëm nga Vetëvendosje, ishte se pranuam barrën e tradhtarit dhe atyre që po shkatërrojmë gjithçka, që për mua është e pavërtetë, por që njerëzit e lexuan kështu. Kjo edhe me fajin tonë, me mënyrën si kemi reaguar”, ka thënë ai për “sfidën e parë që s’e kanë menaxhuar mirë”.

Sipas Sejdiut, arsyeja tjetër që çoi në dështimin e PSD-së ishte edhe “ndihma në zhbllokimin e animozitetit të madh në dialogun mes pozitës e opozitës”.

Ai ka thënë se tash “kandidati i VV-së për kryeminstër, Albin Kurti, po e thotë atë që kemi thënë në maj të vitit 2018, që të gjithë të jemi në dialog, por në atë kohë na thoshin jeni argatë të Thaçit”.

Si arsye tjetër, Sejdiu ka thënë se “vota për buxhetin ishte me rëndësi për ne, por për publikun ishte vazhdim i pushtetit të keq”.

Sipas tij, po të mos ishte PSD-ja në mandatin e fundit, Lista Serbe do të ishte në qeveri edhe 12 muaj.

Sejdiu ka thënë po ashtu se edhe bashkëpunimi me AAK-në duket të ketë qenë jo i duhuri në sytë e publikut. Sipas tij, kjo për shkak të dallimeve që ishin mes këtyre partive.

Për ata që thonë se largimi na Vetëvendosje çoi në dështim të PSD-së dhe anëtarëve të saj, Sejdiu ka thënë se “leximi i njerëzve është e thjeshtë, ata që thonë është konfirmuar mund të kenë të drejtë”.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk ndërron mendje për largimin nga VV-ja.

“Për mua s’ishte gabim largimi. Jam i të njëjtit mendim. Kur kam dhënë dorëheqje ishte për bindjet e mija, që janë në një vlerë të një demokracie liberale. Besoj në të. Andaj s’qëndroj në asnjë subjekt ku këto vlera reduktohen në procedurë. Foleja ime e parë ishte FER-i. Kështu që foleja e vjetër është FER-i. Folenë tjetër e çmoj. E vlerësoj që ka plot që më shkruajnë edhe individualisht (nga VV-ja), por vendimin e kam marrë. Besoj në koncept tjetër. Është çadër e madhe e s’ndihem rehat. Prandaj kam dalë”, ka deklaruar më tej ai.

Sejdiu në legjislaturën e shkuar kishte hyrë me 39 mijë vota, ndërsa tash ka marrë më shumë se 4600.

Sejdiu thotë se dorëheqja e tij erdhi nga përgjegjësia pas rezultatit të 6 tetorit

Ish-anëtari i Kryesisë dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate tashmë i dorëhequr, Dardan Sejdiu, ka thënë se dorëheqja e tij nga të gjitha strukturat e partisë ka ardhur pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas tij, duke qenë në strukturat udhëheqëse, ai ka vendosur të marrë përgjegjësi për dështimet e partisë, duke dhënë dorëheqje, duke shtuar se “edhe në humbje duhet të merret përgjegjësi”.

Duke folur për dorëheqjen e tij, ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se momentalisht ky është vetëm vendim individual.

“Unë besoj që edhe si shef i grupit parlamentar kam një përgjegjësi pasi qytetarët kanë vlerësuar se nuk duhet të jemi në parlament”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për rezultatin e partisë në zgjedhjet e 6 tetorit, Sejdiu ka thënë se politikë e PSD-së nuk ishte të qëndronin gjithmonë pole të kundërta me pozitën.

“Ndodhi një fitore e subjekteve që kanë qenë pole të kundërta me Qeverinë, ndërsa ne në PSD kemi menduar se nuk duhet të jemi gjithmonë pole të kundërta. Nga qytetarët kjo nuk u lexua kështu, prandaj edhe ndodhi rezultati”, ka thënë ai.

Nëse shihet në aspektin empirik, Sejdiu thotë se dy partitë opozitare nuk kanë sjellë asnjë ligj në Kuvend duke potencuar se opozitë nuk do të thotë vetëm të rrish pa bërë asgjë.

Ai tutje shton se është krenar për punën qe ka bërë.

“Unë Kuvendin e shoh si një arenë ku secili deputetë duhet të jap një kontribut për politikën që ai përfaqëson. Unë mendoj që është koha me normalizu politikën. Unë kam vendosure që nga sot që punën time në politik ta bëjë nga një kënd i vlerave socialdemokrate dhe jo nga vija e parë e politikës. Nuk do të jem në domenin publik. Unë kam një lidhje goxha të fortë me Prishtinën dhe ndihem mirë kur punoj për Prishtinën. Nëse Ahmeti e sheh që jam i nevojshëm për të punuar për Prishtinën, jo nga këndi publik, do ta bëjë me kënaqësi”, ka thënë ai duke shtuar se do të kthehet në sektorin e financave.