Kosova

Sejdiu: Është vonë për zhbërjen e Speciales

Korab Sejdiu, jurist, në emisionin Desku në KTV ka hënë se është vonë që të bëhet zhbërja e Gjykatës Speciale.

Ai thotë se ajo nuk duhej të ishte krijuar fare.

“Fakti se ne kemi dështuar në krijimin e një sistemi të drejtësisë që është i pavarur, që nuk është i ndikuar dhe ka kapacitetin dhe guximin me u ballafaquar me njerëzit e fortë të skenës tonë politike ka hapur dyert që edhe të krijohet një krijesë e veçantë që ekziston tek ne, një gjykatë e Kosovës që s’është e Kosovës. Nuk e di që ka ekzistuar një gjykatë e tillë hibride dhe njëanshme ku trajton vetëm njërën anë të një ballafaqimi siç e kemi pasur ne për lirinë me Serbinë”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se ky dështim i ynë për të ndërtuar këtë sistem ka hapur dyert për aspketin politik, të bëhej presion politik.

“Fatkeqësisht ne kemi mbetur me atë që kemi ne, ka qenë një sistem i drejtësisë pa guxim, pa kapacitet dhe pastaj e kanë shfrytëzuar ata që jodomosdoshmërisht ia duan të mirën vendit tonë. E kanë shfrytëzuar këtë hapësirë për të krijuar Gjykatën Speciale. Nuk është dashtë të krijohet, është dashtë që ne të kemi kapacitete”, thotë ai.

Sejdiu shton se tani fokusi duhet të jetë të mbrohen sa më mirë të akuzuarit.

“Por, tash në momentin që është krijuar, kemi bërë ndryshimet kushtetuese, është bërë baza ligjore, kemi hyrë në marrëdhënie bilaterale me Holandën. Tash është veçse vonë të flasim dhe të bëjmë përpjekje për zhbërjen e këtij institucioni. Përpjekjet tona edhe si shtet, edhe si frymë që e përfaqësojmë një popull liridashës, duhet të fokusohemi në krijimin e një mbrojtje të fuqishme për ata të cilët ballafaqohen me këtë gjykatë”, ka deklaruar Sejdiu.