Kosova

Seanca e së enjtes hapi i parë formal, por jo edhe vendimtar në krijimin e institucioneve

Thirrja e seancës konstituive për të enjten është hapi i parë formal drejt krijimit të institucioneve të reja, por jo edhe dita vendimtare.

Referuar praktikës së deritashme nuk dihet se kur do të përmbyllet seanca me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Mungesa e marrëveshjes për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike do ta përsëriste situatën e vitit 2014 dhe 2017, kur partia fituese kishte vonuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Vonesat eventuale në konstituimin e Kuvendit nuk do të mund ta vinin në lëvizje as Gjykatën Kushtetuese, qoftë nga presidenti apo ndonjë organ tjetër, shkruan Koha Ditore. Në mungesë të takimeve me partnerin e vetëm potencial për koalicion, VV-ja nuk ka treguar nëse do ta nxjerrë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Megjithëse ka mospajtime rreth postit të presidentit, dy palët janë shfaqur optimiste që marrëveshja do të arrihet shpejt. E njohës të rrethanave kanë listuar një varg pasojash nëse nuk ka krijim të shpejtë të institucioneve.

Në dy palë zgjedhjet e fundit, kryeparlamentari ishte zgjedhur pas ngërçeve në mungesë të marrëveshjes së koalicionit. Derisa në vitin 2014 u kërkua interpretim prej Gjykatës Kushtetuese pas gjashtë muajsh bllokadë, edhe në vitin 2017, partia fituese kishte vonuar kandidatin. Presidenti Thaçi pas certifikimit të zgjedhjeve kishte nisur një seri konsultimesh me partitë parlamentare- ndërmarrje kjo që ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike. Por i ishin përgjigjur PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, ku pas tre muajsh arritën ta krijonin shumicën e thjeshtë prej 61 votash, pasi AKR-ja e Behgjet Pacollit doli nga koalicioni parazgjedhor me LDK-në dhe ia bashkua Qeverisë Haradinaj. Kadri Veseli ishte rizgjedhur kryetar i Kuvendit vetëm pas tentativës së shtatë dhe me një shumicë të brishtë.

Brenda së njëjtës ditë, Haradinaj i AAK-së u mandatua për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi. Kabineti qeveritar ishte votuar pas dy ditësh.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.