Bota

Së paku 35 civilë të vrarë në Afganistan

Zyrtarët afganë thanë se së paku 35 civilë janë vrarë dhe 13 janë plagosur në një sulm të kryer nga ushtria afgane në provincën jugore të Afganistanit, Helmand.

Incidenti ndodhi të dielën vonë, kur forcat speciale bastisën një shtëpi, e cila, sipas zyrtarëve, është përdorur nga talibanët për të stërvitur bombardues.

Një lokacion dasmash, pranë shënjestrës së sulmit, u përfshi po ashtu nga luftimet, thanë zyrtarët.

“Tridhjetepesë civilë janë vrarë dhe 13 janë plagosur. Këta njerëz ishin në një dasmë pranë vendit të sulmit në zonën Khaskar të qarkut Musa Kala”, tha Attaullah Afghan, anëtar i këshillit të provincës Helmand.

Një tjetër anëtar i këshillit të provincës, Abdul Majid Akhundzadah, tha se 40 njerëz – të gjithë civilë – janë vrarë në sulm.

Ushtria amerikane tha se 22 militantë talibanë janë vrarë gjatë bastisjes.

Talibanët, ndërkaq, thanë në një deklaratë se disa civilë janë vrarë, ashtu si edhe 18 pjesëtarë të forcave afgane.

Incidenti vjen pasi rreth 30 civilë janë vrarë javën e kaluar në një sulm me dron në provincën lindore Nangarhar.