Kosova

S’certfikohet as ish-deputeti i LDK’së, zëvëndësohet me djalin e tij

Xhavit Ukaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk do mund të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt. Kjo pasi që ndaj tij është në fuqi dënimi i formës së prerë i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prizren, shkruan Gazeta Express. 

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj. Ai pohoi se vendimi ish’deputetit të LDK’së i është bërë i plotfuqishëm më 24 dhjetor të vitit të kaluar.

Po rasti për personin në fjalë është bërë i plotfuqishëm vitin e kaluar. Më 7 nëntor të vitit 2019 ndaj tij është shpallur aktgjykimi nga Gjykata Themelore në Prizren. Pastaj me 24 dhjetor 2020 ky aktgjykim është bërë i plotfuqishëm”, ka konfirmuar ai. 

Lekaj ka treguar se me kërkesë të Ukajt dënimi prej gjashtë muajve burg i është zëvëndësuar me shumën prej 2 mijë e 500 eurove

Fillimisht ai është dënuar në  kohëzgjatje prej  6 (gjashtë) muajve, në kuptim të nenit 47 të KP-së, me kërkesën e të akuzuarit  dënimi me burg do ti zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 2500(dymijepesëqindën) €. Në rast se i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën do të revokohet dënimi me gjobë dhe do të ngel në fuqi dënimi i caktuar me burg në kohë zgjatje prej 6 (gjashtë) muajve.”, ka thënë më tutje ai.

Lekaj ka treguar se rasti i Ukajt lidhet me një kërcënim që ky i fundit i kishte bërë një Prokurori në Prizren.

“I apostrofuari, dyshohet për veprën penale kanosje. Ai dyshohet se ka sulmuar prokurorin me inicialet A.S në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren”, ka thënë Lekaj për Express. 

Express mëson që Prokurori të cilin e sulmoi Ukaj, ishte duke hetuar djalin e kandidatit për deputet. 

Lidhur me këtë çështje, Xhavit Ukaj ka folur për Express. Ai tha se tanimë LDK’ja e ka zëvendësuar atë në listë me djalin e tij Florent Ukaj. 

“Nuk e kam ditur që nuk mund të kanidojë për shkak se nuk e kam ditur që dënimi me gjobë është vepër penale. Unë jam zëvendësuar në listë me djalin tim Florentin që është kryetar i Forumit Rinor të LDK’së në Prizren”, ka thënë ai. 

Express ka siguruar edhe vendimin e plotë të Gjykatës Themelore në Priizren në rastin e Xhavit Ukajt. 

“Xh.U është fajtorë pasi që me dt.02.03.2018 në Prizren, e kanos seriozisht të dëmtuarin A.S., Prokuror në Prokurorin Themelore-Departamenti i Përgjithshëm në Prizren, në atë mënyrë që derisa Prokurori ishte duke zhvilluar procedurën hetimore ndaj birit të tij, shkon në zyre të Prokurorit, e fillimisht i tensionuar, e me tonë të lartë i drejtohet me fjalët që t’ja liroj djalin nga paraburgimi, si dhe i drejtohet po ashtu me fjalët se “a kqyrni ju televizor, se a e dini se si bëhen hetimet, e krejt këto keni mi pagu” e kur Prokurori kërkon që të qetësohet e t’ja liroj zyrën, sërish i drejtohet me fjalët se “keni me ardhë e mem kërku falje, se të gjithë jeni matrapaz e mendoni se e keni ligjin  në dorë e të bëni çka të doni” e prap vazhdon me fjalët “se edhe  ju jeni si të gjithë pasi që ke ardh këtu se të  njoh mirë” e kur Prokurori kërkon që të qetësohet e të ia liroj zyrën, i akuzuari i është drejtuar sërish me fjalët se “unë nuk të qoj njerëz ty e për këtë krejt  ki mi pagu”, ku ndërhynë punëtori i sigurimit dhe e largon nga zyra e Prokurorit, me çrast të dëmtuarit i shkakto ankth dhe frikë. – me çka ka kryer veprën penale të kanosjes nga neni 185 par.3/1 të KP-së.

Andaj, gjyqtari i vetëm,në bazë te neneve 7,8,9,10,17,21, 45,47 ,73 , 74 dhe 75 par 1 pika 1.3, të KP-së dhe neneve 248 dhe 365 të KPP-së, e gjykon me : DENIM   ME BURG                                  

– Ne kohëzgjatje prej  6 (gjashtë) muajve, në kuptim të nenit 47 të KP-së, me kërkesën e të akuzuarit  dënimi me burg do ti zëvëndesohet me dënim me gjobë në shumën prej 2500(dymijepesqindë) €, të cilën shumë i akuzuari është i obliguar ta paguaj në afat prej 15 dite pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. 

Në rast se i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mund ta paguaj gjobën do të revokohet dënimi me gjobë dhe do të ngel në fuqi dënimi i caktuar me burg në kohë zgjatje prej 6 (gjashtë) muajve.

Obligohet i akuzuari që ti paguaj shpenzimet e procedurës penale dhe atë: në emër të paushallit gjyqësor në shumën prej 20 euro,  në emër të kompensimit të viktimave të krimit në shumën prej 30 euro,   të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi,  nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm”, thuhet në raportin e Gjykatës Themelore në Prizren për rastin e Xhavit Ukajt./Gazeta Express/