Kosova

SBASHK-u e ”kërcënon” qeverinë me grevë

Greva po del të jetë forma e vetme për kërcënim nga SBASHK-u. Kësaj radhe mospërfshirja e Ligjit për Paga, që është pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, ka shqetësuar në masë të madhe përfaqësuesit e SBASHK-ut, të cilët kanë paralajmëruar grevë gjithëpërfshirëse në arsim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (SBASHK-u) nuk e ka ndërmend t’u ndahet grevave në vend. Ndonëse qysh nga pezullimi i Ligjit për Paga në Sektorin Publik nga kjo sindikatë vazhdimisht u pohua se dita-ditës do të fillojnë me greva, deri më tani këto ishin vetëm fjalë. Por një gjë ndryshoi përgjatë ditëve të kaluara. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ia ka dërguar një letër qeverisë “Kurti”, ku ka kërkuar takim sa më të shpejtë me kryeministrin për t’ia shfaqur shqetësimet e punëtorëve të arsimit rreth Ligjit për Paga. Sipas tij, në rast se nuk përfshihen në Ligjin për Buxhetin e këtij viti mjetet financiare për zbatimin e Ligjit të Pagave dhe në rast se Gjykata Kushtetuese e vazhdon masën e pezullimit për këtë ligj arsimi në Kosovë rrezikon të futet në grevë të përgjithshme.

Megjithatë, sipas njohësve të arsimit në vend, një kërkesë e tillë nga SBASHK-u është joserioze. Kjo pasi që, sipas tyre, Qeveria nuk ka mundësi të fusë në buxhet mjete për një ligj, i cili nuk është në fuqi. Në ndërkohë, dje gjatë ditës katër sindikata kanë njoftuar që janë duke u përgatitur për të ndërmarrë hapa sindikalë, pasi që, siç kanë vlerësuar ata, gjendja është acaruar. Ndërsa kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymert Reshiti, i ka thënë gazetës që janë të njoftuar për gjendjen dhe për pretendimet e SBASHK-ut, si dhe ka njoftuar se ditëve në vijim do të organizojë një mbledhje me të gjithë prindërit e ku edhe do të dalin me një qëndrim rreth situatës së krijuar. Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati pezulluar Ligjin për Paga në Sektorin Publik si pasojë e ankesës nga Avokati i Popullit lidhur me kushtetutshmërinë e disa neneve. Pavarësisht që hyri në fuqi më 1 dhjetor, ligji u shfuqizua, me çka u ndalua edhe marrja e pagave me rritje, siç është paraparë të ndodhë me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e SBASHK-ut, të FSSHK-së, të SPK-së, të Sindikatës së Zjarrfikësve dhe të Doganave përmes një komunikate për medie kanë njoftuar se kanë mbajtur një takim të përbashkët, duke debatuar për situatën në këta sektorë pas lajmit të shpërndarë se mund të mos jenë paraparë mjete në buxhetin e sivjetshëm për implementimin e Ligjit të Pagave. Ata kanë deklaruar se situata në sektorët që përfaqësojnë është acaruar dhe se kanë nisur të shtohen kërkesat e anëtarësisë që të bëhen përgatitje për të nisur edhe me veprime sindikale nëse Ministria e Financave dhe kryeministri nuk ofrojnë dëshmi se janë bërë planifikime buxhetore për Ligjin e Pagave. “Duke u gjendur në këtë situatë përfaqësuesit e FSSHK-së, të SPK-së, të Sindikatës së Zjarrfikësve dhe të Doganave kanë vendosur bashkërisht t’i drejtohen kryeministrit Kurti për një takim urgjent e në momentin më të afërt të mundshëm të debatojnë për këtë çështje. Në takimin me kryeministrin Kurti përfaqësuesit e këtyre pesë sindikatave do të kërkojnë nga ai që të shpalosë planin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies së punëtorëve në Republikën e Kosovës nëse Ligji për Paga zvarritet edhe më tutje”, thuhet në komunikatën e tyre për medie.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ia ka dërguar një letër qeverisë “Kurti”, ku ka kërkuar takim sa më të shpejtë me kryeministrin për t’ia shfaqur shqetësimet e punëtorëve të arsimit rreth Ligjit të Pagave. “Në bazë të komunikimeve me kolegët, situata aktuale në terren është e tensionuar, pasi ne kemi disa informata që në Ligjin për Buxhet nuk do të parashihet buxhet për implementimin e Ligjit të Pagave. Po ndodhi kjo do të futemi në një situatë të tmerrshme, ku do të shtohen tensionet dhe në sistemin e arsimit mund të kthehet janari i vitit të kaluar me grevë të përgjithshme. Uroj që qeveria ‘Kurti’ dhe ministri i Financave t’i parashohin mjetet e të mos krijohet një situatë e tillë”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Pupovci: Kërcënimi me grevë, joserioz

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci, paralajmërimin e fundit nga SBASHK-u e ka cilësuar si joserioz. “Kërcënimi me grevë nëse Gjykata Kushtetuese nuk e heq pezullimin e Ligjit është joserioz, sepse Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë, që interpreton përputhshmërinë e ligjeve me Kushtetutën dhe nuk do të duhej t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni gjatë marrjes së vendimeve, as nga politika, as nga sindikata”, ka thënë ai.

Sipas Pupovcit, Qeveria nuk mund t’i përfshijë në buxhet mjetet financiare që parashihen në një ligj, i cili është i pezulluar. “Përderisa Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Ligjin për Paga, Qeveria nuk mund t’i përfshijë në buxhet mjetet financiare për zbatimin e tij, sepse nuk mund ta vërë në zbatim një ligj të pezulluar. Nëse pezullimi hiqet, atëherë Kuvendi ka detyrim që ta rishikojë Ligjin për Buxhetin dhe të bëjë të mundur që pagat të jepen sipas ligjit të ri. Prandaj kërcënimi me grevë në raport me veprimin e Qeverisë është i pabazë, pasi çështja është në duar të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj jam i mendimit që të gjithë bashkë duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë kushtëzim, dhe të sillemi në pajtim me atë vendim”, ka thënë ndër të tjera ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.