Kosova

SBAShK-u do të apelojë vendimin e Themelores për kompensim të orëve, e konteston si të pabazuar në ligj

Zyrtar ligjor i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Blendor Shatri, ka thënë se kjo sindikatë do të ankohet ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që e hodhi si të pabazuar padinë e kësaj sindikate ndaj ministrisë së Arsimit për vendimin për zëvendësim të orëve të humbura nga greva e mësimdhënësve.

Ai ka bërë të ditur se janë duke bashkëpunuar me avokatët dhe në javën e ardhshme, brenda afatit ligjor, do të ankohen në Gjykatën e Apelit. Ka thënë se nëse edhe Apeli vendos pro vendimit të ministrit, do të shkojë deri në instancat kryesore.

Në Express Intervistën në KTV, ai ka thënë se ky vendim i ministrit Shyqiri Bytyqi është i pabazuar në ligj.

“Mendojmë se është vendim i pabazuar në ligj, sepse e drejta e grevës është e pamohueshme me Kushtetutë e me direktivat evropiane. Vendimi është i pabazuar në ligj sepse nëse në të ardhmen do të zëvendësoheshin të gjitha grevat që mund të ndodhin do të humbte efekti i grevës dhe s’do të kishte kurrë vullnet për grevë nëse dihet se do t’i kompensojnë orët”, ka thënë ai.

Sipas tij, ministria kishte marrë vendimin për arsye humane, por nuk është bazuar në ndonjë ligj.

Shatri ka shtuar se vendimi i gjykatës nuk ka theksuar nëse vendimi i ministrit ishte i bazuar në ndonjë ligj.

“Ky është precedent i keq që do të ndikojë në të gjitha sindikatat. Gjykata po shkel të drejtën demokratike për të realizuar kërkesat e punëtorëve”, ka shtuar Shatri.

Mësimdhënësit në Kosovë kishin mbajtur grevë për tri javë në muajin janar duke kërkuar ngritjen e koeficienteve në Ligin për Pagat. Pas përfundimit të grevës, ministri Bytyqi kishte vendosur që tri javët e humbura të kompensohen, pro ky vendim nuk është pranuar nga SBAShK-u.

Leave a Reply

Your email address will not be published.