Kosova

Samiti i Sofjes, Rajoy nuk do të nënshkruajë në dokument bashkë me Thaçin

Spanja ka vënë veto në tekstin e përbashkët të deklaratës që planifikohet të publikohet në Samitin e Sofjes, shkruan El Paisi i Spanjës. Sipas kësaj gazete, nuk bëhet fjalë për mospajtime në politikën e jashtme së BE-së, por Spanja nuk pranon që Mariano Rajoy të nënshkruajë në një dokument me Hashim Thaçin.

El Pais shkruan se kjo informatë është konfirmuar nga disa burime diplomatike të cilat kanë thënë se Rajoy do ta lëshojë Samitin para se të fillojë takimi me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Spanjës do të jetë vetëm në ditën e parë gjatë darkës së përbashkët me liderët  të vendeve të BE-së.

Rajoy kohë më parë kishte thënë se është problematike që Brukseli po flet për zgjerim për shtete që nuk janë të njohura.

Presidenti Thaçi kishte marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Sofjes gjatë vizitës së kryeministrit bullgar javën e kaluar në Prishtinë.

„Kjo na brengos“, ka thënë Rajoy.

Kryeministri spanjoll këtë ia kishte thënë edhe homologut të tij bullgar, duke thënë: “Spanja ka problem me samitin e Sofjes duke kërcënuar se nuk do të shkojë në Sofje për shkak të Kosovës.

Ditë më parë Radio Evropa e Lirë kishte njoftuar se 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për një draft deklaratë para Samitit BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, duke tejkaluar kështu dallimet e brendshme, dallime që kanë të bëjnë kryesisht me Republikën e Kosovës.

Për draftin, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhej se ishte gjetur pajtim veç të enjten e kaluar në mes të ambasadorëve të BE-së dhe tani do t’u dërgohet gjashtë vendeve ballkanike që do të marrin pjesë në samit; Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Prezenca e Kosovës në samit e ka komplikuar punën e draftit sa u përket pesë anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën – Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës.

Sipas diplomatëve që kanë biseduar me Radio Evropa e Lirë, disa nga pesë vendet ishin jo të lumtura që dokumenti është quajtur “deklaratë” dhe do të preferonin më shumë që të quhej “konkluzion i presidencës bullgare”, ose të prodhohej një deklarim vetëm në emër të institucioneve të BE-së dhe jo edhe nga gjashtë vendet ballkanike.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483