Gjeopolitikë

Samiti i liderëve të BE-së me Ballkanin Perëndimor, nën hijen e Donald Trumpit

Liderët e BE-së do të provojnë të forcojnë lidhjet me Ballkanin Perëndimor në një samit të javës së ardhshme në Sofje, Bullgari, por me sa duket samiti do të hedhet në hije nga përçarja me presidentin amerikan, Donald Trump në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Takimi i liderëve evropianë me gjashtë homologët e tyre nga Ballkani të enjten vjen në kohën kur Brukseli po provon të luftojë ndikimin rus në rajon me premtimet për anëtarësim eventual në BE, raporton AFP.

Megjithatë, tërheqja e Trumpit nga marrëveshja me Iranin, së bashku me kërcënimin për tarifa tregtare që kanë përkeqësuar marrëdhëniet transatlantike, do të dominojë darkën e liderëve të BE-së të mërkurën, një natë para samitit.

“Politikat e Donald Trumpit në marrëveshjen me Iranin dhe për tregtinë do të përballen me një qasje të bashkuar evropiane. Liderët e BE-së do t’i trajtojnë të dyja çështjet në samitin e javës së ardhshme në Sofje”, ka shkruar në Twitter Donald Tusk, president i Këshillit Evropian, transmeton Koha.net.

Me gjithë urgjencën për përpjekjet e Evropës për të shpëtuar marrëveshjen e Iranit, ndoshta samiti i ashtuquajtur i Ballkanit Perëndimor në Sofje është të paktën po aq i rëndësishëm për të ardhmen e bllokut të trazuar.

Gjashtë kombeve të Ballkanit – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – po u humb durimi për t’u anëtarësuar pasi BE-ja katër vjet më parë e vuri zgjerimin në pritje.

“Ndeshja e interesave”

Komisioni Evropian kohë më parë zbuloi strategjinë e saj të re për rajonin që synon t’i anëtarësojë disa prej tyre deri më 2025 — prijësit e listës janë Mali i Zi dhe Serbia – në këmbim të reformave.

Do të jetë zgjerimi i parë i BE-së pasi Brexiti do ta ulë numrin e shteteve anëtare të BE-së në 27.

BE-ja po ashtu po zotohet të rris financimin dhe të forcojë lidhjet e transportit, të energjisë dhe të komunikimit me Ballkanin.

Por liderët rajonalë kanë paralajmëruar Brukselin se Rusia, së bashku me Kinën dhe Turqinë, do të shfrytëzojnë çdo shenjë të përmbajtjes së BE-së për të rritur shtrirjen e tyre në rajon.

“Për një kohë të gjatë, interesat e Perëndimit dhe të Rusisë preken këtu, sikurse në kohën e Luftës së Ftohtë, por Rusia po provon të realizojë ndikimin e saj në rajon në një mënyrë shumë më agresive”, ka thënë Aleksandar Popov nga OJQ-ja serbe, “Qendra për Regjionalizëm”, transmeton Koha.net.

Megjithatë, shumë shtete anëtare të BE-së aktualisht nuk po shprehen të gatshëm të pranojnë anëtarë të rinj, duke thënë se blloku duhet t’i zgjidhë telashet e veta para se të rritet sërish.

BE-ja është po ashtu e vetëdijshme për pranimin e anëtarëve të rinj para se t’i zgjidhin dallimet e tyre, veçanërisht në një rajon që ende është i ngatërruar nga pasojat e ndarjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Fjalët “anëtarësim” dhe “zgjerim” mungojnë dukshëm nga deklarata e samitit, e cila po ashtu shmang të thotë direkt se deklarata është lëshuar njëzëri nga të gjithë liderët e BE-së dhe krerët rajonalë, sipas draftit që ka parë AFP-ja.

Gjithashtu, në samit do të mungojë edhe kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, vendi i të cilit, i vetëdijshëm për pretendimet separatiste të rajonit të vet të Katalonjës, ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Dezinformimi”

As Rusia nuk përmendet direkt, ndërsa referenca e vetme e dukshme për Moskën është kur flitet për përkushtimin për të punuar së bashku në luftën ndaj “dezinformimit dhe aktiviteteve tjera hibride” në rajon, transmeton Koha.net.

Rusia ka ngritur prezencën e saj mediale në Ballkan viteve të fundit, por vetëm deri në atë pikë sa nuk ia ka dalë të materializojë në ndonjë muskul të vërtetë.

Kandidatët pro-rusë kanë dështuar të fitojnë pushtet në Mal të Zi, i cili vitin e kaluar iu bashkua NATO-s përkundër kundërshtimit të fortë nga Moska.

Në Maqedoni – e përfshirë në një mosmarrëveshje të hidhur me Greqinë për emrin e saj që ka frenuar perspektivën e anëtarësimit për momentin – një nacionalist i mbështetur nga Moska ka humbur pushtetin ndaj pro-Perëndimorit Zoran Zaev.

Moska vazhdon të mbesë aleat i vjetër i Serbisë dhe liderët e saj shpesh vizitojnë Moskën, por niveli i investimeve ruse është vetëm një e njëzeta e asaj që vjen nga BE-ja, edhe pse është më e zëshme për këtë.

BE-ja është po ashtu partneri më i madh tregtar i Serbisë dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdimisht thotë se synimi strategjik i vendit të tij është anëtarësimi në BE, përkundër lidhjeve të afërta me Rusinë.