Kosova

Salihu thirrje Prishtinës dhe Tiranës: Ktheni sytë kah Medvegja, shqiptarët po shlyhen nga regjistri

Muharrem Salihu, asambleist në kuvendin e Medvegjës, gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” në Neës 24 me gazetarin Eri Kaçorri flet për rrezikun me të cilin përballen Shqiptarët e Medvegjës, ai i shlyerjes nga regjistrat në këtë territor shqiptar në Serbi.

Ai tha se bëhet fjalë për një operacion që quhet pasivizimi i adresave dhe dokumenteve të shqiptarëve, ashtu që në këtë mënyrë deri tani janë shlyer mbi 4 mijë banorë, që për shkaqe sociale dhe të mbijetesës janë shpërngulur në Kosovë dhe vende tjera në diasporë, përcjellë INA.

“Është e domosdoshme dhe emergjente që çështja e shqiptarëve të tre komunave të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Tani është koha e fundit që Tirana të deklarohet për këtë çështje sepse të shlyhen 4 mijë shqiptarë me një laps, kjo është alarmante.

Tirana patjetër duhet të reagojë dhe jo të heshtë, sepse përndryshe atëherë po bie që kjo po bëhet edhe me pëlqimin e Tiranës”, theksoi Salihu.

Sipas tij, nëse synohet ndryshimi i kufijve atëherë tre komunat shqiptare në jug të Serbisë ti bashkohen Kosovës, sepse edhe ashtu janë territore shqiptare të aneksuara.

Salihu po ashtu nënvizoi se këto veprime të Serbisë në Medvegjë mund të provokojnë dhe të reflektojnë që edhe autoritetet e reja që po vijnë në pushtet në Kosovë të aplikojnë reciprocitet ndaj serbëve, të cilët gëzojnë status tejet të mirë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.