Kosova

Salihu: Në dy muaj të pandemisë, 9.3 milionë euro të hyra më pak në komunat e Kosovës

Në kushtet e pandemisë, komunat kanë funksionuar me shtabet emergjente, por janë shënuar rënie në të hyrat e tyre.

Bekim Salihu nga instituti GAP ka thënë në Express të KTV-së se gjendja ka qenë e paplanifikuar, por se komunat e kanë gjetur mirë veten.

“Ka qenë gjendje e paplanifikuar dhe për rrjedhojë planifikimet e bëra në fund të 2019-s nuk e kanë paraparë gjendjen. Gjendja ka qenë e rëndë, komunat janë goditur drejtpërdrejtë. Por ato janë gjetur mirë. Në kohë rekorde kanë formuar shtabet dhe kanë ndërmarrë masa që kanë ndikuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit”, ka thënë Salihu.

Salihu ka thënë se komunat në tërësi gjatë kësaj periudhe i kanë kushtuar rëndësi shëndetit publik, rrjedhimisht duke ndërmarrë masa që kanë pasur efekt negativ në shumë drejtime.

“Ndikimi negativ i COVID-19 ka qenë i përgjithshëm. Nëse përqëndrohemi tek të hyrat, GAP ka konstatuar rënie të madhe të të hyrave. Marrë në tërësi, gjatë marsit dhe prillit, në 38 komunat e Kosovës shkalla e rënies së të hyrave komunale ka qenë për 9.3 milionë euro më pak, krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Salihu ka thënë se kjo pastaj ndikon tek investimet kapitale, gjë që do të thotë se do të ketë më pak investime komunale.

“Sidomos gastronomia ka ndikuar në të hyrat komunale. Po ashtu janë edhe dënimet që policia i shqipton nëpër rrugë, që shkojnë në të hyrat komunale, të cilat kanë rënë dukshëm”, ka thënë ai.

Salihu po ashtu ka folur për shpenzimet që i kanë marrë përsipër komunat gjatë pandemisë. Ka folur pakon emergjente lokale të Komunës së Prishtinës.

“Kemi parasysh që komunat po ankohen për mungesë të keshit e rrjedhimisht ato nuk do të jenë në gjendje të ndikojnë në zbutjen e gjendjes së rëndë të pandemisë”, ka thënë ai.

Salihu ka treguar se “qeveria e Kosovës i ka ndarë 10 milionë euro, por ende nuk është specifikuar nga MF se si do të përfitojnë nga ky 10-milionësh”.

Ka thënë se kjo shumë është e pamjaftueshme.