OPINION

Salih Salihu – një jetë në shërbim të kauzës kombëtare

Shkruan: Nexhmedin SAQIPI
Përkujtim

Këto ditë, ndërroi jetë në spitalin e Nishit, profesori Salih Salihu, ish drejtor i disa mandateve në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc, po ashtu këshilltar komunal në Kuvendin e Bujanocit, nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, në koalicion me Partinë Demokratike Kombëtare, bashkautor i monografisë së fshatit Tërnoc, si dhe nga nismëtaret për formimin e Këshillit Integrues të shqiptarëve për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë dhe shumë nismave të tjera me karakter shoqëror e kombëtar.

I ndjeri, Salih Salihu, profesor i lëndës së historisë, në pension, ka marrë pjesë nëpër shumë simpoziume me karakter kombëtar në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, për çka edhe u dekorua me mirënjohje të ndryshme për veprimtari jetësore.

Sali Salihun, gjithashtu e njohim edhe për shumë aktivitete të tjera lokale dhe rajonale, ai ishte një vizionar i shquar dhe mik i ngushtë i profesor Esat Stavilecit, me të cilin u angazhua për hartimin e platformës politike për Këshillin Integrues, me të cilin shqiptarët e Luginës së Preshevës, do të arrinin më shumë në internacionalizimin e çështjes kombëtare, se sa me ndonjë organizimin tjetër siç është Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Këtë edukatë të mirësjelljes dhe komunikimit Sali Salihu e kishte trashëgim nga të parët e tij, të përmendur për bujari, fisnikëri dhe mikpritje. Prindi i Sali Salihut, Hajrush Xili, ishte një pleqnar dhe atdhetar i pashoq jo vetëm në Tërnoc, por edhe më gjerë në rajon. Tërnocasit kanë fjalë të mira për këtë familje shumë përparimtare, e cila nga gjiri i saj nxori intelektualë që i lanë një nam Luginës së Preshevës.

Pa i mbushur akoma një vit në luftën kundër COVID-19 e humbi jetën edhe vëllai i Salih Salihut, në Spitalin e Nishit, nëpunësi i Komunës së Bujanocit, Skender Salihu, i njohur si Kenda edhe ai po ashtu ishte një veprimtar i dalluar dhe adhurues i sportit.

Vëllezërit Salihu, ndonëse e humbin betejën kundër virusit korona, ata i fituan të gjitha luftërat e kauzës kombëtare, në përpjekjet konkrete në ruajtjen e gjuhës, traditës dhe atdhedashurisë në Luginë të Preshevës.

Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu”, të martën e 24 nëntorit, mbajti një komemoracion për ish drejtorin dhe profesorin e lëndës së historisë Salih Salihun, duke çmuar lart misionin e tij intelektual dhe patriotik.

Sali Salihu, u nda nga kjo botë, në prag të festave kombëtare, të Ditës së Flamurit, për të cilin u angazhua shumë, qoftë si profesor e qoftë si këshilltar komunal së bashku me ish Komandantin e Zonës Operative të Qarrit, të njohur si Komandant Robeli, alias Muhamet Xhamaili, që të dy përfaqësues të subjekteve politike PDSH-PDK , duke kërkuar vazhdimisht, që simboli ynë kombëtar, të përdoret lirshëm ashtu siç festohet, ai, anekënd viseve tona etnike.

Personalitetin e prof. Salihut, nuk do ta harrojmë kurrë, ai do të mbetet një udhërrëfyes i brezave të tashëm dhe të ardhshëm në rrugën e përparimit tonë shoqëror e kombëtar.

I qoftë dheu i lehtë i Luginës së Preshevës, të cilën, ai, e quante me krenari Kosova Lindore.