Kosova

Sadriu: Punimet për memorialin ne Meje- të tmerrshme

Përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKMK), nuk kanë shprehur vullnet për të marrë pjesë në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticion u diskutua për zhvillimet e punimeve në kompleksin memorial në Meje.

Ky Komision ka ftuar të dyja palët për t’i ballafaquar argumentet mes vete.

Financimi i këtij memoriali ishte përgjegjësi e Kuvendit Komunal të Gjakovës, por për shkak të mungesës së mjeteve kaloi në Qeveri

Haki Sadriu, nga Shoqata e familjarëve të personave të zhdukur “27 Prilli 1999-Meje”, punimet për këtë memorial i cilësoi të tmerrshme.

Ai ka theksuar se kontraktori aktual që po bën punimet në këtë memorial, e që kjo shoqatë nuk ka informacione se kush është ky kontraktori, ka bërë deri më tash vetëm gabime e të cilat po synohen të mbulohen.

“Është skandaloze që po kalon gjysma e vitit dhe vetëm 1/3 e punimeve është bërë”, ka thënë ai, duke shtuar se pllakat e epërme që janë si fazë përfundimtare, 46 mermera, janë të thyera që na thuhet se i kemi thyer ne familjarët.

Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, ka shprehur shqetësimin e saj për këtë çështje, kurse Saranda Bogujevci, nga LVV-ja, ka theksuar se është e padrejtë atyre familjarëve t’u shkaktohen dhimbje të tjera krahas dhimbjes që kanë për humbjen e familjarëve të tyre.

Ndërkaq, Mexhide Mjaku-Topalli, nga PDK-ja, ka kërkuar sqarim se pse është bërë ndërprerja e kontratës me kontraktorin e parë.

Megjithatë, Nik Prelaj, projektues i projektit dhe familjar i të goditurve në Meje, ka vlerësuar pozitivisht punën e kontraktorit të parë duke thënë se pas kalimit të këtij projekti në Qeveri nga ana e komunës kanë filluar të shfaqen problemet.