Kosova

Sa janë zbukuruar sheshet e komunave të Kosovës për Vitin e Ri

Me ardhjen e festave të fundvitit, shumë nga Komunat e Kosovës janë përkujdesur që të zbukurojnë sheshet e tyre, disa më herët e disa më vonë, disa më pak, e disa më shumë.

Megjithatë, secila Komunë për festat e fundvitit ka përgatitur një kalendar të aktiviteteve, të cilat në të shumtën e rasteve përfundojnë para datës 31 dhjetor.

Vizitën e parë emisioni SOT për të parë se si janë zbukuruar komunat dhe për të kuptuar se si do të pritet ndërrimi i moteve, e filloi nga Prizreni.

Gjallëria në sheshet e qyteteve, fotografitë me babadimrin dhe pranë zbukurimeve, janë karakteristikë e ndjesisë festive që po mbizotëron anë e kënd vendit. Në Ferizaj, një shoqatë e motoristëve kishte vendosur t’i gëzojë më të vegjlit e qytetit në mënyrë të veçantë, duke parakaluar në shesh e duke shpërndarë dhurata falas për ta.

Peja është një nga komunat, të cilat nuk kanë harxhuar fare mjete për zbukurimin e qytetit, e njëjta u ka krijuar hapësirë bizneseve që ta zbukurojnë qytetin dhe të reklamohen. Po ashtu, kalendari i festave në këtë komunë ka përfunduar më herët dhe nuk do të ketë ndonjë organizim në ndërrimin e moteve. Megjithatë, gjallërinë e sheshit të Pejës e mbante një babadimër karizmatik.

Ndonëse ky fundvit po karakterizohet me të reshura të pakta dëbore, krahas zbukurimeve dhe shesheve festive, në Gjakovë janë përkujdesur që të bëjnë një kënd patinazhi, në të cilin fëmijët po argëtohen.

Gjilani duket të jetë më pak i zbukuruar, ndonëse edhe këtu si në çdo qytet tjetër, babadimri është në shesh duke u ofruar fëmijëve një kujtim të festës së fundvitit. Por, si do të pritet Viti i Ri në këtë Komunë dhe a do të ketë ndonjë organizim?

Siç u tha nga zyrtarët komunalë në këto komuna, zbukurimet janë bërë konform mundësive buxhetore që kanë komunat përkatëse, ndërsa programi festiv i ndërrimit të moteve kryesisht u është lënë bizneseve dhe qytetarëve të cilët kryesisht e kremtojnë festën në mesin familjar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.