SPORT

Rusia vlerëson Kosovën para ndeshjes së parafundit mes dy vendeve

Më 18 tetor të vitit të kaluar UEFA ka vendosur që ekipet e futbollit të Kosovës dhe të Rusisë mos të takohen më në gara të UEFA-s. Vendimi nuk vlen për dy ndeshjet e përfaqësueseve të futbollisteve, që ishin caktuar më herët.

E para prej tyre luhet të premten (6 mars) në Wiesbaden të Gjermanisë. Është e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2021”.

Në të vërtetë UEFA ka vendosur që këto dy ndeshje të luhen në terren neutral. Në ndeshjen e së premtes Kosova është vendase. Ndeshja Kosovë – Rusi është dashur të luhet më 4 tetor të vitit të kaluar në Prishtinë. Më 28 shtator UEFA vendosi të shtyj atë takim për shkaqe sigurie. Me arsyetim të njëjtë ka vendosur që dy takimet të luhen në terren neutral e po ashtu që në të ardhmen Kosova e Rusia mos të takohen mes vete, raporton Koha.net.

Ndeshja Rusi – Kosovë duhet të luhet më 9 qershor të këtij viti. Vendi nuk është caktuar ende, por ka gjasë të jetë një afër Rusisë.

Kosova e Rusia kanë bilanc të njëjtë aktualisht në grupin A të kualifikimeve për Evropianin e vitit tjetër. Rusia është e treta në grup me gjashtë pikë, sa i ka edhe Kosova në vend të katërt. Rusia megjithatë vlerësohet favorite në ndeshjen e së premtes.

Kosova ka nisur kampanjën e parë kualifikuese për Evropian me fitore 2:0 ndaj Turqisë. Më pas pësoi 5:0 në udhëtim nga Sllovenia. Në ndeshjen e tretë e mposhti Estoninë në udhëtim me shifrat 2:1. Rusia ka fituar 1:0 në udhëtim ndaj Sllovenisë e më pas 4:0 në shtëpi ndaj Estonisë. Ndeshjen e tretë e ka humbur 2:0 nga Holanda.

Rusia pesë herë ka garuar në Evropian, ndërsa nuk ka avancuar nga faza grupore. Për ndeshjen ndaj Kosovës, Rusia ka nisur përgatitjet që më 27 shkurt në Gjermani. Në ekipin e Rusisë kanë shprehur respekt për Kosovën.

“Kosova është rival i mirë, ekip luftarak dhe që luan shumë në sulm. Lojtarët e Kosovës janë të përgatitura, në aspektin fizik janë në nivel. Disa prej lojtareve të Kosovës luajnë në Gjermani. Por e kemi një ide si të përballemi me Kosovën. Është me rëndësi që lojtaret tona të luajnë me agresivitet dhe të garojnë”, ka thënë përzgjedhësja e Rusisë, Elena Fomina.