Rusia: Shtyrja e bisedimeve bërthamore me ShBA-në, për shkak të dallimeve

Moska ka shtyrë rundin e ri të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara për kontrollin e armëve bërthamore për shkak të dallimeve në qasje dhe për shkak të tensioneve lidhur me Ukrainën, tha një diplomat rus.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se vendimi i Moskës për të shtyrë bisedimet me ShHBA-në – që pritej të mbaheshin këtë javë në Kajro – është marrë nga niveli politik.

“Ne po përballemi me një situatë kur kolegët tanë amerikanë nuk po tregojnë se janë të gatshëm të dëgjojnë sinjalet tona dhe as të marrin parasysh prioritetet tona”, tha ai për gazetarët në Moskë.

Ryabkov pretendoi se ShBA-ja ka dëshiruar që t’i përqendrojë bisedimet vetëm në rinisjen e inspektimeve sipas traktatit New START dhe ka shpërfillur kërkesat e Moskës që të diskutohet edhe për çështje specifike që lidhen me armët që janë pjesë e traktatit që synon kufizimin e armëve strategjike.

ShBA-ja tha më 28 nëntor se Moska ka vendosur njëanshëm të shtyjë bisedimet e Kajros dhe ka thënë se do të propozojë data të reja për mbajtjen e tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në bisedime, duke shtuar se pret që ato të mbahen sa më shpjet, pasi “rinisja e inspektimeve është prioritet për të ruajtur traktatin si instrument i stabilitetit”.

Traktati New START, që hyri në fuqi më 2011, kufizon numrin e kokave strategjike bërthamore që ShBA-ja dhe Rusia mund të dislokojnë, dhe po ashtu kufizon dislokimin e raketave tokësore dhe atyre të vendosura në nëndetëse.

Disa ditë para se traktati të skadonte në shkurtin e vitit 2021, Rusia dhe ShBA-ja u pajtuan që ta zgjasin edhe për pesë vjet.

Në gusht, Rusia deklaroi se do të ndalonte përkohësisht inspektimet e ShBA-së, duke argumentuar se kufizimet e udhëtimeve, sanksionet ndaj kompanive ajrore ruse, që janë vendosura nga ShBA-ja dhe aleatët e saj, e kanë bërë të vështirë që ekspertët ushtarakë rusë të vizitojnë uzinat bërthamore të ShBA-së për të kryer inspektime.

Go to TOP