SPORT

Rusia shijon fitoren e parë, mposht 1-0 Finlandën

Rusia merr 3 pikët e para në Grupin B të Euro 2020. Skuadra e Cherchesov mposhti minimalisht 1-0 Finlandën në “Gazprom Arena” në një ndeshje që ishte e hapur dhe e luftuar. Finlanda vinte pas suksesit “aksidental” 1-0 me Danimarkën dhe menjëherë frikësoi rusët me një gol që në minutën e dytë me Pohjanpalo por që për arbitrin Makkelie ishte pozicion jashtë loje.

Vendasit nisin të sulmojnë dhe në 23 kanë rastin më të mire me Dzuyba që me një gjuajtje në zone e çon topin ngjitur me shtyllën.

Rusia bën ndeshjen teksa Finlanda përpiqet ta kapë në befasi në kundërsulm por në minutat shtesë të pjesës së parë, Miranchuk me një gjuajtje magjike me të majtën mposht portierin Hradecky.

Pjesa e dytë nis sërish me dy raste të rrezikshme për Finlandën me Pukkin i cili në 3 raste që krijon nuk arrin ta mposhtë portierin Safonov.

Rusët tërhiqen disi për të ruajtur dhe rezultatin dhe Finlanda fiton territor përpara e me gjithë përpjekjet maksimale nuk mund të bëjnë asgjë më shumë ndërsa Rusia merr fitoren e parë në Grupin B duke ruajtur shpresat për një kualifikim për ndeshjen e fundit me Danimarkën.