Kosova

Rusia kundërshton reciprocitetin e Kosovës ndaj Serbisë, kritikon qëndrimin e BE-së

Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjen e parimit të reciprocitetit.

Përmes një reagimi të postuar në uebfaqen e kësaj ministrie, thuhet se “autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të manipulojnë me temën e heqjes së tarifës doganore 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia qendrore, të cilat u vendosen nëntorin e vitit 2018 dhe rezultuan në ndalimin e procesit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Albin Kurti, ‘kryeministri në detyrë’ i Kosovës, me një gjest tjetër demagogjie, njoftoi heqjen e tarifave më 1 prill, por të përkohshëm dhe me kufizime që paraqesin shumë parakushte. Së pari, Kosova insiston në ‘parimin e reciprocitetit’ duke e detyruar Beogradin t’i etiketojë mallrat e veta sipas standardeve të Prishtinës, që nënkupton të pajtohet për futjen e ‘Republikës së vetëshpallur të Kosovës’ në dokumente që do të implikonte njohjen indirekte të këtij kuazi-shteti”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie, raporton KOHA.

MPJ-ja ruse thotë se me këtë veprim, “kosovarët nuk e kanë zbutur qëndrimin e tyre siç është kërkuar nga patronët e tyre Perëndimorë, por i kanë shtrënguar parakushtet”.

“Thuhet se edhe Washingtoni, i cili mbështet plotësisht ‘pavarësinë’ e Kosovës, kritikoi veprimin e fundit të Prishtinës e cila qëllimshëm vonon mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin. Në këtë kontekst, reagimi ekstazik i BE-së duket i çuditshëm pasi që, si një nga ndërmjetësit, BE-ja duhet të përgjigjet me një vlerësim të matur të situatës pa favorizuar asnjë nga palët”, theksoi më tej MPJ-ja ruse.

“Be besojmë se këta hapa anti-Serbi nga autoritetet e Kosovës duhet të rikthehen plotësisht dhe pa kushte”, përfundoi MPJ-ja ruse reagimin e saj.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483