Bota

Rusia i shpall “ekstremiste” organizatat e lidhura me Navalnyn

Një gjykatë në Moskë u ka ndaluar veprimtarinë organizatave politike të lidhura me kritikun e burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny, duke i shpallur ato “ekstremiste”.

Aktivistët do të përballen me burgim nëse vazhdojnë punën e tyre dhe secilit që mbështet publikisht rrjetin politik të Navalnyt, mund t’i ndalohet gara për pozita publike.

Përmes rrjeteve sociale, Navalny është zotuar se nuk do të zmbrapset.

“Nuk do të shkojmë askund. Do ta tejkalojmë këtë, do të ndryshojmë, do të përmirësohemi. Do të adaptohemi. Nuk do të heqim dorë nga qëllimet dhe idetë tona. Ky është shteti ynë dhe nuk kemi tjetër”.

Megjithatë, ai ka thënë se mbështetësit e tij tani duhet ta ndryshojnë mënyrën e punës.

Navalny është në burg për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, për një rast përvetësimi, akuzë që e konsideron të motivuar politikisht.

Zgjedhjet parlamentare ruse pritet të mbahen në muajin shtator, dhe sondazhet tregojnë se partia në pushtet po humb përkrahjen.

Disa prej mbështetësve të Navalnyt kanë planifikuar të garojnë në zgjedhje.

Avokatët e Navalnyt kanë thënë se do ta apelojnë vendimin e gjykatës për organizatën e Navalnyt.

Navalny, i cili është kritiku më i ashpër i Putinit, është ndaluar në Rusi, në muajin janar, pas kthimit nga Gjermania.

Ai është trajtuar në Berlin, pas helmimit me agjent nervor Noviçok.

Navalny ka fajësuar Putinin për dhënie të urdhrit për helmim, mirëpo Kremlini mohon diçka të tillë.

Putin ka qenë në pushtet si president apo kryeministër nga viti 1999.