Bota

Rusia brenda dy javëve do të testojë vaksinën për koronavirus

Shkencëtarët rusë planifikojnë nisjen e testimeve klinike të një vaksine kundër koronavirusit, ka thënë Ministri Shëndetësisë i Rusisë të shtunën, ndërsa u aprovua ilaçi i parë për koronavirusin në këtë shtet, raporton Reuters.

Rusia mban vendin e tretë në botë me numrin e infektimeve me koronavirus pas ShBA-së dhe Brazilit, dhe zyrtarët në Kremlin kanë thënë se shkencëtarët në këtë shtet janë duke punuar në afro 50 projekte të ndryshme për gjetjen e vaksinës.

“Testimet janë në zhvillim e sipër dhe brenda dy javëve planifikojmë testime klinike në njerëz”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko, sipas agjencisë së lajmeve TASS. Ai ka shtuar se tashmë janë zgjedhur vullnetarët që do të marrin pjesë në këtë testim.

Prodhuesit e barërave nëpër tërë botën janë duke nxituar për zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave për virusin i cili deri tash ka shkaktuar mbi 360,000 vdekje në tërë botën.

Ndërsa Fondi i Investimit Direkt i Rusisë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar Avifavirin si ilaç për trajtimin e Covid-19. Ky ilaç u zhvillua në bazë të ilaçit me emrin gjeneral favipiravir.

Zyrtarët thonë se Avifavir ishte dëshmuar i efektshëm në trajtimin e pacientëve me koronavirus në fazën e parë të testimeve klinike. Faza e fundit e testimeve po bëhet në 330 pacientë.

Aktualisht janë duke u bërë testime në njerëz për afro 10 vaksina kundër koronavirusit dhe ekspertët botërorë kanë parashikuar se një vaksinë e sigurt dhe e efektshme do të marrë 12 deri 18 muaj kohë për t’u finalizuar.

Një nga projektet e vaksinës në Rusi është duke u bërë nga instituti shtetëror Vektor në Siberi, dhe drejtori i këtij instituti Rinat Maksyutov tha të shtunën se po shpresonte që testimet do të përfundojnë në mes të shtatorit, transmeton KOHA.

Rusia të shtunën raportoi 181 vdekje nga koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e sjellë numrin e përgjithshëm në 4,555.

Zyrtarët thanë se ishin konfirmuar edhe 8,952 raste të reja me virus, duke e sjellë numrin e përgjithshëm të infektimeve në 396,575.