EKONOMI

Rukiqi: Taksa të hiqet dhe të shikohen prioritetet tjera të vendit

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka thënë se është koha e duhur që të shfuqizohet tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të BeH dhe të shikohen prioritetet tjera të Kosovës.

Ai thotë se edhe dje gjatë takimit me Kurtin është biseduar nevoja që të shikohen prioritetet e tjera të vendit.

Rukiqi thotë se është qëndrim i komunitetit të biznesit heqja e taksës.

Ai thotë se është në interes të tyre shfuqizimi i tarifës, ashtu siç është stabiliteti politik dhe tërheqja e investimeve të huaja.

“Ne nuk kemi vetëm një grup të bizneseve, kemi biznese të llojeve të ndryshme, ka të atilla që kanë përfituar nga vendosja e taksës, por duhet ditur se nuk mund të lihet në pafundësi. Kërkesë e bizneseve është që nëse hapet tregu me Serbinë dhe BeH, është që së paku tregu të mbrohet nga veprimet e padrejta tregtare që vijnë nga to, dhe të krijohen politika të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Ai tutje shton se e kishin përkrahur në një kontekst të caktuar taksën. Sipas tij, ajo kishte ndikim pozitiv në bizneset që prodhojnë produkte për konsumin e gjerë.

Sipas të parit të Odes Ekonomike, të njëjtat kanë raportuar rritje të qarkullimit, por se shton se një grup tjetër i bizneseve nuk kanë qenë të përgatitura dhe nuk e kanë kaluar lehtë këtë periudhë.

“Edhe nëse shfuqizohet tarifa, ne nuk do të shohim prezencë të fuqishme të brendeve serbe. Ka pas efekte afatshkurta në punësim, por edhe po të vazhdojë taksa me vjet të tjera, kjo nuk mjafton që të ketë produkte të mjaftueshme nga Kosova që ta dominojnë tregun”, ka thënë ai.

Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar qartësi në vendimmarrje dhe të mos kenë mesazhe të përziera.

“Ne kërkuar qartësi të plotë për shfuqizimin e taksës. Unë kam pasur një fokus të veçantë që Qeveria të realizojë atë që ka premtuar. Ka mundësi që të shfuqizohet vendimi. Reciprociteti pastaj është një rrugë komplet tjetër. Ka një bazë ligjore që e mundëson mbrojtjen e tregut, por në përgjithësi duhet me pas kujdes sepse ka politika ndërkombëtare. Tarifa duhet të shfuqizohet vetëm me një vendim”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i përbashkët është që të jetë një vendim i qartë për shfuqizimin e tarifës dhe një orientim drejt çështjeve tjera të rëndësishme të vendit.

“Ne kemi thënë që të shfuqizohet tarifa e pastaj të ulemi e të bisedojmë se si t’i përgjigjemi Serbisë deri sa t’i eliminojë barrierat jotarifore”, ka thënë ai.

Ai thotë masat e reciprocitetit vijnë atëherë kur nuk funksionojnë rrugët tjera për t’u eliminuar barrierat tregtare.

Rukiqi tutje ka shtuar se janë një varg çështjesh që Kosova ka problem me Serbinë dhe një nga to është transiti.

Sipas tij, Serbia e njeh vetëm certifikatën e origjinës që lëshohet nga Dogana dhe nuk njeh asnjë dokument tjetër, duke shtuar se me të njëjtën medalje mund t’i përgjigjen.

Ai thotë se ka një varg masash që mund t’i përgjigjen Serbisë.

Sipas tij, çdo marrëveshje tregtare e njeh të drejtën për reciprocitet nëse nuk bëjnë punë hapat tjerë.