Kosova

Rukiqi: Masat e reja të vendosura nga qeveria nuk godasin vetëm gastronominë

Masat e reja për luftimin e coronavirusit edhe kësaj radhe pritet të godasin mjaft shumë sektorin e gastronimosë, por edhe sektorë tjera.

Ardian Hoxha nga Shoqata e gastronomëve thotë se në Kosovë bizneset e gastronomëve janë në krizë edhe pa pandemi.

“Janë biznese të tilla që mund të fuksionojnë për rreth dy vite pastaj kur falimentojnë hapet biznesi tjetër. Fitimi është i vogël”, deklaroi Hoxha në RTV Dukagjini.

Ai thotë se dëmi që iu është shkaktuar në pandemi është shumë i madh.

“Edhe në Francë e Gjermani mbyllen bizneset, por atje subvencionohen deri ne masën 80%. Neve na është shkaktuar dëm i madh”, shtoi më tej përfaqësuesi i gastronomëve.

Nga ana tjetër kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se me këto masa që ka vendosur nga qeveria nuk do të preken vetëm gastronomet.

“Janë prekur transportuesit, shoqatat e bujqve, taksistët ata që shesin pemë e perime, studentët që janë punësuar si kamarierë”, tha Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Rukiqi thotë se qeveria është zotuar se kjo do të jetë mbyllja e fundit që është bërë në këtë formë.

Ai thotë se qeveria e ka shumë të vështirë të kërkojë respektimin e masave pasi vet nuk kanë respektuar masat.

“Vendimet i qëndrojnë kohës varësisht nga legjitimiteti i atyre që i kërkojnë ato vendime. Në këtë rast asnjëra prej partive politike nuk i kanë respektuar masat anti-COVID”, deklaroi Rukqi./Telegrafi/