Kosova

Rudari i shkarkon dy drejtorë komunalë në Podujevë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i ka shkarkuar dy drejtorë komunalë, atë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jahën dhe drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi.

Arsyeja e shkarkimit të dy vartësve të tij, është njoftuar të jetë performanca e dobët e tyre. Vetë Rudari nuk e ka hapur telefoni, ndërsa në një përgjigje të Zyrës për informim të Komunës është mohuar se dy ish-drejtorët janë shkarkuar për shkak se nuk ishin angazhuar mjaftueshëm në fushatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, në të cilën garë është edhe Nexhmi Rudari.

“Sot u janë dorëzuar vendimet për lirim nga pozita e drejtorit dy drejtorëve, atij Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, z. Hamdi Jaha dhe drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Zaim Thaçi. Lirimi nga pozita e drejtorit ka të bëjë me performancën e tyre, si dhe angazhimet e nënkryetarit Rudari për rritje të dinamikës në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe përmirësim të shërbimeve në fushën e shëndetësisë̈”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim.

Sipas të njëjtës, zëvendësimi i dy ish-drejtorëve do të bëhet në konsultim të nënkryetarit Rudari me subjektin politik.

“Ndërsa për momentin detyrat në kuadër të drejtorive përkatëse do të kryhen nga zyrtarët e këtyre dy drejtorive”.

KOHA ka kontaktuar Zaim Thaçin e Hamdi Jahën, por i pari nuk e ka hapur telefonin, ndërsa i dytë nuk ka qenë i gatshëm sot të deklarohet për këtë. Ka thënë se po pret deri nesër dhe pastaj do të flasë.