Kosova

Rryma në veri shitet pa leje, Kosova vazhdon të humbë miliona euro

Ka rreth 10 vjet që kompania “Elektro Sever” vepron jashtëligjshëm në veri të Kosovës.

Ajo bën furnizimin me energji elektrike, por tani pas marrëveshjes me Rrjetin Evropian të Energjisë Elektrike, kjo kompani po pritet që të aplikojë për licencim.

Megjithëkëtë, për një gjë të tillë nuk ka afate të përcaktuara e kjo veprimtari ilegale ka çuar në humbje të miliona eurove, kurse për humbjet dhe të gjitha shpenzimet e tjera përgjegjësi do të marrë KOSTT-i, raporton KTV.

Për shkak të mundësisë që “Elektro Sever” të mos aplikojë fare, Kosova do të vazhdojë me humbjen e energjisë në këtë pjesë.

Për ta ndaluar këtë, Rinora Gojani nga “Ballkan Green Fondation”, thotë se institucionet duhet t’i caktojnë një afat për aplikim “Elektro Severit”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar se deri më tani “Elektro Severi” nuk ka aplikuar ende për licencim.

Një gjë e tillë parashihet me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë e arritur në vitin 2013 në Bruksel.

Shpenzimet e energjisë elektrike në veri për disa vite u janë faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës, derisa Gjykata e Apelit e ndaloi një gjë të tillë.

Nga ajo kohë, për rrymën në veri janë paguar nga buxheti i Kosovës, tetë milionë euro çdo vit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.