EKONOMI

RrShP: Ndalimi i veprimtarisë afariste ditën e diel ndikon në rritje të papunësisë për 20%

Rrjeti i Shitësve me Pakicë të shqetësuar me propozimin e disa komunave për ndalimin e veprimtarisë afariste ditën e diel ka reaguar nëpërmes një komunikate.

Sipas Rrjetit të Shitësve me Pakicë, kjo do të ndikoj në rritjen e papunësisë me 20% në Kosovë.

Ky vendim, sipas tyre, është kufizim i konkurrencës së lirë në ekonominë e tregut, e cila është e garantuar përmes dispozitave kushtetuese si dhe kjo do të ndikonte dëmshmen në zhvillimin ekonomik.

Më poshtë komunikata e plotë e Rrjetit të Shitësve me Pakicë:

11 shkurt 2020 – Rrjeti i Shitësve me Pakicë përmes kësaj komunikate për medie shpreh shqetësimin e anëtarëve lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale për ndalimin e veprimtarisë afariste në ditën e diel.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë cilëson se ndërhyrja në aktivitetet e subjekteve afariste konstituon me kufizim të konkurrencës së lirë në ekonominë e tregut e cila është e garantuar përmes dispozitave kushtetuese ndërsa një praktikë e tillë gjithashtu do të kishte implikime të dëmshme në zhvillimin ekonomik dhe përkeqësimin e ambientit të bërit biznes. Vendimi për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela do të vështirësojë operimet e subjekteve afariste duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në uljen e normave të punësimit në Komuna. Në bazë të dhënave të derivuara nga bizneset operuese në sektorin e shitjeve me pakicë rezulton se bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e punëtorëve me rreth 20%. Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve jetike në zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa garantimi i këtyre të drejtave duhet të bëhet përmes dispozitave ligjore të cilat rregullojnë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës duke mos ndikuar në operimet e subjekteve afariste. Vendimi për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela, padyshim që do të ketë implikime edhe në zvogëlimin e të ardhurave nga shitjet, që parashihet në një normë prej 8% të qarkullimit, e që pamundëson zgjërimin dhe zhvillimin e sektorit të shitjeve me pakicë. Për më tepër, vendim i tillë në Komuna të caktuara do të ketë efekte në rritjen e informalitetit si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve për inspektim. Rrjedhimisht, Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron se çdo efekt pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë do të mbipeshohej nga ndikimet negative që do të kishte në ekonominë e vendit. Prandaj, konsiderojmë se angazhimi i institucioneve të qeverisjes lokale duhet të jetë i bazuar në krijimin e një mjedisi të shëndoshë për sektorin privat i cili krijon parakushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Përfundimisht, Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon nga Asociacioni i Komunave që në koordinim me komunat përkatëse të rikonsiderojnë me kujdes iniciativën për ndalimin e veprimtarive afariste për objekte tregtare ditëve të diela duke marrë parasysh ndikimet negative që kjo politikë do të gjenerojë në në uljen e normave të punësimit, rritjen e informalitetit dhe në përkeqësim të ambientit të të bërit biznes.

Shoqata “Rrjeti i Shitësve me Pakice” (RRSHP) është organizatë jofitimprurëse, joqeveritare e themeluar nga anëtarët e saj, në mbështetje të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike reciproke të dobishme mes anëtarëve të Rrjetit në njërën anë dhe institucionevetë Republikës së Kosovës në anën tjetër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.