Hi Tech

Rrjedhin detajet e Huawei P40 dhe P40 Pro, para lansimit zyrtar

Huawei është përfolur se brenda pak ditëve do t’i paralajmërojë modelet e reja të telefonave saj të famshëm për vitin 2020.

Huawei P40 dhe P40 Pro do të zëvendësojnë versionet aktuale nga kompania kineze, dhe pritjet janë se këto modele do të lansohen së shpejti në tregje të ndryshme botërore.

Vetëm disa ditë para lansimit, rrjedhësi i njohur i modeleve të reja të telefonave të mençur në treg, Ishan Agarëal ka ndarë specifikat e pajisjes në internet.

Sipas burimeve të tij, Huawei P40 5G do të vijë me një ekran të dyfishtë prej 6.1 inç me një kamerë për selfie me 32 MP, dhe një bateri që ka kapacitet prej 3800mAh.

Telefoni i ri nga Huawei do të mundësohet nga chipset Kirin 990 5G. Do të vijë gjithashtu me një kamerë të trefishtë e cila do të përfshijë një kamerë parësore prej 50 MP së bashku me një sensorë prej 16 MP dhe 8 MP Leica Ultra Vision.

Ndërkaq, Huawei P40 Pro pritet të vijë me ekranin prej 6.58-inç / dual punch-hole display, baterinë me 4200mAh dhe kamerën frontale me 32 MP me sensorin e thellësisë.

Në anën e pasme, telefoni do të ketë Leica Ultra Vision Quad Camera me 50 MP + 40 MP + 12 MP dhe sensorin ToF.

Të dy modelet e reja të telefonave të avancuar pritet të vijnë me dizajn të ngjashëm dhe sensorin e gishtave të integruar në ekran.

Fatkeqësisht, Huawei ende nuk i ka zgjidhur çështjet e saj me qeverinë amerikane, gjë që nënkupton që P40 dhe P40 Pro do të vijnë pa shërbimet e Google Play.