EKONOMI

Rritja ekonomike postpandemike – Ku do të investojë më së shumti qeveria?

Tri vjetët e ardhshme, qeverisë do t’i shkojnë duke u marrë me rimëkëmbjen prej dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Sivjet planifikohet që ekonomia të ngritët për 5%, ndërsa deri më 2024, rritja pritet të jetë 4.2% nga niveli historik. Kryesisht, bazë e këtij zhvillimi parashihet të jetë eksporti, investimet dhe konsumi.

Ministria e Financave ka paraparë edhe rritje të buxhetit shtetëror. Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, deri më 2024, kuleta e shtetit do t’i ketë 2.7 miliardë euro, 300 milionë më shumë se këtë vit.

Buxheti bazohet fort në të hyrat nga tatimet direkte e indirekte, që në tri vjetët e ardhshme pritet të jenë më të mëdha pasi që bizneset do të kenë mundësi të punojnë më shumë, nëse largohet pandemia.

Për t’ia dhënë hovin ekonomisë, qeveria ka paraparë që 29.5% të harxhimeve ti delegojë në shpenzime kapitale. Kështu, piku në këtë fushë do të arrijë më 2023 kur do të jepen mbi 300 milionë euro, kurse si subvencione dhe transfere, për çdo vit do të dhurohen nga rreth 70 milionë euro.

Por për krejt këto shpenzime, nuk do të mjaftojnë paratë e ndara nëpër buxhetet vjetore. Andaj deficiti buxhetor mund të shkojë deri 160 milionë euro. Megjithatë, mbulimi i tyre do të bëhet përmes borxheve të brendshme dhe ndërkombëtare.

Më shumë para do të ndahen edhe për sektorët e mjedisit, arsimit dhe institucioneve të sigurisë.

Mirëpo rreziku kryesor që mund t’i stopojë këto plane është tejzgjatja e pandemisë që e dëmton ekonominë vendore. Ky është edhe shkaku që programi qeverisës, ekonominë e ka lënë pas synimit kryesor shëndetësor, që është imunizimi i 60% të popullatës ndaj virusit korona.