Bota

Rritet shkalla e shkatërrimit në Bahamas

Ekipet e shpëtimit janë nisur në zonat në veri të ishujve Bahamas që janë shkatërruar nga Uragani Dorian.

Kryeministri i Bahamas-it, Hubert Minnis ka thënë se disa zona janë shkatërruar plotësisht dhe pritet që numri i të vdekurve, nga shtatë sa është tani, të rritet edhe më shumë.

“Ne mund të përballemi me më shumë viktima. Këto janë vetëm informacionet fillestare. Kjo është një prej kriza më të mëdha kombëtare në historinë e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Uragani Dorian është bartur në veri mirëpo ende kërcënon ujërat në lindje të Shtetetve të Bashkuara.

Lideri opozitar, Philip Brave Davis, i ka përshkruar pamjet e para përmes një fluturimi si “të tmerrshme”.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka thënë se shqetësohet se 45 për qind e shtëpive në Grand Bahama dhe Abakos, janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar tërësisht.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara ka thënë se rreth 60,000 persona do të kenë nevojë për ndihmë dhe ujë të pijshëm.

Qendra Kombëtare për Stuhi ka thënë se fuqia e uraganit pritet të zvogëlohet në dy ditët e ardhshme.

Megjithatë, ai prapë do të rrezikojë brigjet e Floridas dhe Xhorxhias.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter se Shtetet e Bashkuara “mund të jenë paksa fatlume sa i përket uraganit Dorian” mirëpo ka bërë thirrje për të vazhduar vëzhgimin.