Bota

Rritet numri i viktimave në konfliktin e Nagorno-Karabakhut, në prag të bisedimeve të reja

Numri i viktimave po vazhdon të rritet në luftimet ndërmjet forcave armene dhe azere në konfliktin për rajonin e Nagorno-Karabakut. Të dyja palët po fajësojnë njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja. Ky armëpushim ishte i treti më radhë qysh kur konflikti disa dekadash u riaktivizua në fund të shtatorit.

Ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të zhvillojnë takime me bashkëudhëheqësit e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Gjenevë më 29 tetor.

ShBA-ja, Franca dhe Rusia janë bashkëudhëheqës të Grupit të Minskut që ka qenë ndërmjetësi kryesor në konflikt.

Ky grup ka thënë se në këtë takim ‘do të diskutohet, të arrihet marrëveshje, dhe të bëhet zbatimi i saj, në përputhje me një kalendar, për të cilin do të pajtohen palët, dhe do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për arritjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin e Nagorno-Karabakut’.

Ministri de-facto i Mbrotjes i Nagorno-Karabakut tha më 29 tetor se me 51 viktimat e fundit, numri i ushtarëve të tij të vrarë ka arritur në 1,119, që nga shpërthimi i luftimeve me forcat azere më 27 shtator.

Ai tha se forcat azere kanë vazhduar gjatë natës granatimin e vendbanimeve civile në Nagorno-Karabak, por Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat e saj u sulmuan në distriktin Goranboy, në veri të rajonit.

Më 28 tetor, Azerbajxhani dhe Armenia raportuan për viktima civile në zona urbane, dy ditë pasi kishte hyrë në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga ShBA-ja.

Të dyja palët mohojnë pretendimet e njëra-tjetrës për shënjestrimin e civilëve.

Autoritetet në Baku thonë se 21 civilë u vranë dhe 70 të tjerë u plagosën nga sulmet raketore në qytetin Barda, i cili ndodhet në Azerbajxhanin Qendror, jashtë Nagorno-Karabakut. Katër civilë të tjerë u raportua të jenë vrarë në një sulm tjetër në këtë qytet, një ditë më herët.

Azerbajxhani nuk i ka bërë të ditura humbjet ushtarake, por thotë se nga luftimet janë vrarë 69 civilë dhe janë plagosur 322 të tjerë.

Yerevani ka akuzuar forcat azere për sulm ndaj zonave civile në Nagorno-Karabak, duke përfshirë edhe granatimin e një spitali dhe një klinike lindjeje në qytetin kryesor të enklavës, Stepanakert. Sulmet me raketa shkaktuan dëme, por nuk lanë pas viktima.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se zonat urbane janë goditur nga sulmet dhe se një vullnetar nga Gjysmëhëna e Kuqe e Azerbajxhanit është vrarë në këto granatime, ndërkaq dy vullnetarë të tjerë janë plagosur.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për sulm ndaj civilëve përgjatë një muaj të luftimeve, që i kanë nxitur fuqitë botërore të kërkojnë ndërprerjen e luftimeve, më të ashprat që nga armëpushimi i vitit 1994.

Dy armëpushime të mëhershme humanitare të ndërmjetësuara nga Rusia, kanë dështuar pak minuta pasi kishin hyrë në fuqi.

Pas dështimit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bisedoi ndaras nëpërmjet telefonit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, dhe presidentin azer, Ilham Aliyev, duke u kërkuar të dyve që të angazhohen për zgjidhje diplomatike dhe që ta respektojnë armëpushimin.

Kandidati demokrat për president të ShBA-së, Joe Biden, i bëri thirrje presidentit Donald Trump që të përfshihet direkt në përpjekjet për t’i ndalur luftimet. “Pas një muaj luftimesh, është koha që presidenti Trump të përfshihet direkt me liderët e Armenisë, Azerbajxhanit dhe Turqisë dhe t’i shtyjë palët për ulje tensionesh dhe të ndalojë përparimin e trupave azere në Nagorno-Karabak”, tha Biden në një deklaratë më 28 tetor.

“Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin një përpjekje diplomatike për t’u dhënë fund luftimeve, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe të angazhohen për ndihmë humanitare ndërkombëtare për t’u dhënë fund vuajtjeve; nën administratën time kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë”, tha Biden, i cili do të përballet me Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Tensionet etnike në rajon ndërmjet armenëve të krishterë dhe fqinjëve të tyre kryesisht myslimanë, në Nagorno-Karabak ekzistojnë për dekada.

Ky rajon njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por armenët etnikë që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, refuzojnë sundimin e Azerbajxhanit. Ata kanë qeverisur punët e tyre, me mbështetjen e Armenisë, që kur trupat e Azerbajxhanit u dëbuan nga rajoni i shkëputur në një luftë në fillim të viteve ‘90.

Luftimet e fundit që filluan më 27 shtator, u përshkallëzuan shpejt, ku u përdor edhe artileri rëndë, raketa dhe dronë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se Moska beson se numri i të vdekurve nga luftimet është afër 5,000.

Aliyev ka kërkuar që Nagorno-Karabak dhe shtatë distriket tjera përreth që kontrollohen nga Armenia, të kthehen nën administrimin e Azerbajxhanit.

Armenia thotë se nuk do të tërhiqet nga territori që e sheh si pjesë të atdheut të saj historik dhe ku popullsia ka nevojë për mbrojtje.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se zëvendësministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, vizitoi zonat afër kufirit të Iranit me Azerbajxhanin dhe paralajmëroi palët ndërluftuese kundër dëmtimit të sigurisë së territoreve iraniane.

“Siguria e rajoneve kufitare, digave dhe ndërtimeve është shumë e rëndësishme për Republikën Islamike të Iranit dhe është një vijë e kuqe,” tha Araqchi, sipas IFP News.

Konflikti për Nagorno-Karabakun ka ngjallur shqetësime mbi një konflikt më të gjerë në Kaukazin e Jugut duke nxitur përfshirjen e Turqisë, anëtare e NATO-s, e cila është aleat i Azerbajxhanit, si dhe Rusisë, e cila ka një pakt ushtarak me Armeninë.

Turqia ka kërkuar një rol më të madh në Grupin e Minskut, për të cilin Ankaraja dhe Baku thonë se e ka lënë anash çështjen e Nagorno-Karabak për dekada pa gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.