Kombëtare

Rritet numri i të infektuarve pas lehtësimit të masave, Vushtrria me më së shumti raste

Shumë persona kanë pritur për të dhënë mostrat e tyre për testim, pasi që kanë pasur kontakt me personat tashmë të konfirmuar me Covid-19.

Më shumë se 30 persona të kontaktit këtu në Vushtrri janë testuar paraditen e së martës, raporton KOHA.

Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Vushtrri thanë se shumica e të infektuarve nuk kanë respektuar masat e Ministrisë së Shëndetësisë, porse gjendja e tyre për momentin është stabile.

E nga Komuna e Vushtrrisë thonë se janë duke e menaxhuar situatën me Covid-19, derisa shtuan se nuk e konsiderojnë të nevojshëm rikthimin e karantinës në këtë komunë.

Rrugët e sheshet në këtë qytet, ku numri aktiv i të prekurve me Covid-19 për momentin është 62, ishin të mbushura me qytetarë.

Gjatë së hënës janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, prej të cilëve 14 raste ishin nga Komuna e Vushtrrisë, 5 raste nga Podujeva, 5 nga Komuna e Fushë-Kosovës, si dhe 3 raste pozitive në Mitrovicë.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me Covid-19 në Kosovë ka shkuar në 1 mijë e 83, prej tyre 843 persona janë shëruar e 30 kanë vdekur.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483