SHËNDETËSIA

Rritet kërkesa për oksigjen, Kosova rrezikon të mbetet pa sasi të mjaftueshme

Pandemia ka rritur enorm shpenzimin e oksigjenit në spitale.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka lidhur në muajin maj kontratë me një kompani për furnizim me oksigjen.

Kontrata mbi 1 milion euro ishte planifikuar të zgjaste dy vjet.

Ani pse pjesa e madhe e operacioneve janë anuluar, për shkak të pandemisë, për 3 muaj nga kjo kontratë janë shpenzuar mbi 60 për qind e sasisë. Nëse vazhdon ky ritëm në tetor do të përfundojë kontrata, e cila planifikohej të furnizonte spitalet publike për 2 vjet me oksigjen, raporton KOHA.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se janë të furnizuar me oksigjen, porse janë duke parë edhe mundësi të tjera për sigurimin e tij.

SHSKUK-ja edhe pse ka kontratë aktive, ka lidhur edhe një tjetër kontratë me një kompani tjetër.

“Menaxhmenti i ShSKUK-së ka ndërmarrë masa me qëllim të përmirësimit të furnizimit me oksigjen në kuadër të ShSKUK-së dhe për këtë qëllim është lidhur edhe kontrata e dytë për furnizim me oksigjen. Janë shpërndarë 27 oksigjeno-koncetratorë në klinikat e QKUK-së, së shpejti pritet të shpërndahen edhe 211 të tjerë për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, si donacion nga OBSH-ja”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Informimit të SHSKUK-së.

Ky institucion përmes një përgjigjeje me shkrim ka konfirmuar se është formuar një komision për kontrollim të shpenzimeve të oksigjenit.

Në spitalet të Kosovës, siç ka mësuar KOHA, nuk ka asnjë lloj rezerve për oksigjenin mjekësor. Siç kanë thënë burimet, operatori ekonomik çdo ditë e sjell sasinë e nevojshme nga Maqedonia.

Në këtë institucion kanë pranuar se për momentin nuk ka mundësi për rezerva.

“Në kohë të pandemisë nuk ka mundësi të krijohen rezerva, sepse nevojat janë shumëfish më të mëdha për oksigjen. Deri në kohën e pandemisë shpenzimet kanë qenë më të vogla, kurse tani shpenzimet janë rritur në mënyrë enorme”, ka thënë Zyra e Informimit në ShSKUK.

Në Kosovë, sipas regjistrit të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore, janë të licencuara vetëm dy kompani për oksigjen mjekësor.

Për shkak të nevojave të mëdha, disa spitale rajonale e qendra të shëndetit parësor janë furnizuar për koncentratorë, në mënyrë që të prodhojnë oksigjenin në sasi të vogla për nevoja të tyre.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483