EKONOMI

Rritet eksporti i specave, por edhe importi mbetet i lartë

Nga Xërxa e Rahovecit nisen 3 maune në javë me speca për në vendet e BE-së. Shitjet janë rritur, thotë Edon Rexhepi, i cili është menaxher në këtë qendër grumbulluese. Sipas tij, diaspora kosovare e ka rritur kërkesën, raporton KOHA.

Ky vit, sipas tij, ka qenë më i mirë se vitet e kaluara për eksportin e specave. Ai pret shitje të mëdha në tregun ndërkombëtar.

Jo shumë larg nga qendra grumbulluese, shitet speci që vjen nga prodhimi i brendshëm. Sipas tregtarëve të gjithë janë nga Kosova.

Megjithatë, kjo nuk vlen për tregun e Fushë-Kosovës, ku ka edhe speca të importuar.

Sidoqoftë, sipas tregtarit Osman Fejza, pozitën dominuese e mban speci vendor në kohën kur vjelja është në kulm.

Sipas Fejzës, vendi është i përshtatshëm për kultivim dhe mund të nxirren fitime të mira nga kjo kulturë.

Vendet e rajonit sipas zëdhënësit të Doganës, Adriatik Stavilecit, janë dominuese me këtë produkt në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, deri më 4 shtator janë pranuar aplikime për 1,586 hektarë të fermerëve për kulturën e specit. Përfituesit pritet të marrin nga 300 euro për hektar nëse i kultivojnë në fushë të hapur dhe nga 400 për ata në serra.

Kosova njihet si vend i specit. Por gjatë këtij viti vendi e ka plotësuar kërkesën për këtë produkt vetëm për muajt korrik dhe gusht, ku vërehet edhe rënia e importit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.