Kosova

Rriten për 11 % rastet e dhunës në familje, si shkaktar konsiderohet edhe izolimi

1 mijë e 568 raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë për nëntëmujorin e parë të këtij viti.

Kjo përbën shtim të rasteve prej rreth 11 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës nuk ka statistika se ndaj cilës gjini është ushtruar më shumë dhunë, raporton KOHA.

Megjithatë, sipas raporteve 24-orëshe të Policisë së Kosovës, vetëm në muajin tetor shumica e rasteve të dhunës janë raportuar nga gratë për shkaqe të ndryshme familjare.

Edhe sipas psikiatres Blerina Hoxha, në vendin tonë dhunë më së shumti po pëson gjinia femërore.

“Kur flasim për dhunën në familje nuk kemi të bëjmë vetëm me ushtrim ndaj gjinisë së kundërt dhe fatkeqësisht kemi të bëjmë edhe me fëmijë. Te fëmijët dëmi është i madh, qoftë në aspektin emocional që manifestohen në formë të pakënaqësive dhe ankthit dhe zvogëlimit të disponimit në formë të depresionit apo edhe stresit pas traumës që mund të paraqiten më vonë në jetën e tyre. Këto janë manifestimet klinike që i është nënshtruar dhunës”, ka thënë ajo.

Hoxha ka thënë se pandemia ka ndikuar në rritjen e rasteve, pasi shton se izolimi është si faktor i shkaktimit të ankthit e po ashtu edhe kufizimi i lirisë së lëvizjes.

“Kur e pranojmë se kemi problem me menaxhimin e emocioneve të forta atëherë një pjesë e punës është kryer dhe hapi i dytë është të kërkohet ndihmë. Te psikologët e më pas te psikiatrët”, ka shtuar Hoxha.

E nga Policia e Kosovës thonë se këto raste i trajton me prioritet nga ta. Bëjnë thirrje që të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ta raportojnë rastin.