EKONOMI

Rreth 800 mijë kilogramë produkte të asgjësuara

Rreth 775 mijë kilogramë/litra produkte të ndryshme ushqimore dhe lëngje janë asgjësuar vetëm vitin e kaluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, kurse sasia më e madhe ka qenë mish dhe produkte të tij.

Sipas zyrtarëve të kësaj agjencie, arsyet e asgjësimit kanë qenë të ndryshme duke përfshirë rastet kur edhe vetë operatorët e biznesit kanë lajmëruar apo kanë paraqitur kërkesë për asgjësim të produkteve që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.

Asgjësimi i produkteve të ndryshme ushqimore ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Lamir Thaçi zëdhënës në Agjencinë ë Ushqimit dhe Veterinarisë në një prononcim për Radion Evropa ë Lirë, tha së vetëm të këtij viti janë asgjësuar mbi 70 mijë kilogramë/litra produkte.

“Çdo herë kur një produkt vlerësohet se nuk i plotëson kushtet për konsum, atëherë vendoset asgjësimi i tij, kjo formë pamundëson që ai produkt të rikthehet në treg. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë shkelëseve të ligjit të cilët kanë tentuar të shesin produkte të dyshimta iniciohet fletëparaqitje në gjykatë. Dhe për masën ndëshkimore gjithmonë vendosin gjykatat sepse ne si autoritet nuk kemi ushtruar dënime mandatore”, tha Thaçi.

Por, përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dyshojnë se sasia e asgjësimit dhe produkteve të dyshuara në treg mund të jetë më e lartë, pasi sipas tyre, në komunat e Kosovës kompetencën për kontrollin, konfiskimin dhe asgjësimin e produkteve e kanë inspektorët komunalë, të cilët u raportojnë vetëm organeve komunale dhe jo organeve qendrore apo AUV-it.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i kësaj shoqate, thotë se kjo lloj amullie e kompetencave, lënë hapësirë për dyshime se në treg ka artikuj të dyshuar dhe rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve, si nga prodhimet vendore po ashtu edhe të importuara nga shtetet e rajonit dhe të Evropës.

“Mendoj se është bërë gabim kur janë ndarë inspektorët komunalë nga niveli qendror. Dhe ata tash nuk korrespondojnë, nuk komunikojnë mes vete. Dhe tash ne raport me AUV-in, kemi 38 (komuna) pushtete paralele. Ata nuk komunikojnë dhe mos komunikimi i tyre ne na bëjnë edhe më shumë të dyshojmë për prezencën e produkteve të dyshimta në treg”, tha Kaçaniku për Radion Evropa e Lirë

Edhe Lamir Thaçi, thotë se të dhënat e asgjësimit të produkteve janë vetëm të inspektorëve të AUV-it, kurse thotë ai, secila komunë i ka statistikat e veta, sepse inspektorët e ushqimit nëpër komuna nuk i përgjigjen agjencisë.

“Ndër vite ne kemi paraqitur kërkesë, që inspektorët komunalë të transferohen në agjencinë e ushqimit ashtu siç është përcaktuar më Ligjin për Ushqimin. Dhe jemi në pritje që kjo të ndodh. Në të kundërtën ne kemi kërkuar që të rritet numri i inspektorëve sidomos në fushën e veterinarisë, fushën e fito-sanitarëve ku kemi një mungesë më të madhe”, thotë Thaçi

Pavarësisht kompetencave të inspektorëve dhe mungesës se tyre, qytetarët shprehen të shqetësuar se në treg ka shumë produkte të dyshimta dhe më cilësi të dobët.

Besa Hajdari, nga komuna e Podujevës, thotë se jo rrallë herë asaj i ka ndodhur të blejë produkte më afat të skaduar në tregun e Kosovës.

“Unë kam blerë artikuj me afat të skaduar. Tash jam më e kujdesshme kur furnizohem më gjëra ushqimore nëpër dyqane. Por, shpresoj se autoritetet kompetente të rrisin nivelin e kontrolleve nëpër dyqanet e Kosovës”, thekson Besa .

Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave. Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.