Kosova

Rreth 50 policë të EULEX-it brenda zyrave të OVL-së së UÇK-së, Policia e Kosovës qëndron jashtë

Pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX) gjenden në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë konfirmuar nga kjo organizatë.

Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, tha se ata janë duke bërë bastisje dhe se tash për tash nuk ka arrestime.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kjo vjen një ditë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente.

Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“. Kjo zyrë po ashtu ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.

*Kjo ngjarje është në zhvillim dhe do të përditësohet

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.