Kombëtare

Rreth 20 mijë kosovarë drejt Shqipërisë vetëm mëngjesin e sotëm

Rreth 20 mijë kosovarë kanë hyrë në orët e para të ditës së sotme në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinit, ku pjesa më e madhe e tyre kanë destinacion qytetet turistike shqiptare.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, tha për ATSH-në se “që prej orës 00:01 pas mesnate deri në orën 11:00 janë përpunuar në hyrje të Republikës së Shqipërisë 19.642 shtetas me 3.173 mjete”.

Sipas prefektit, në hyrje të pikës së Morinit po punohet me 6 sportele dhe me procedurë të përshpejtuar.

Prefekti Kuçana bën të ditur se policia rrugore ka forcuar masat për të të shmangur problematika gjatë qarkullimit të udhëtarëve.

Pika kufitare  e Morinit është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit. Shtetasit nga Kosova, vijojnë të kryesojnë me fluksin më të madh të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri. Sipas INSTAT për 7 mujorin e parë të këtij viti, hynë në Shqipëri më shumë se 1 milion shtetas nga Kosova, me rritje prej gati 14%. Turistët nga Kosova përbënin 34% të totalit të hyrjeve të vend./atsh/