SHËNDETËSIA

Rreth 10 mijë qytetarë të prekur me grip

Me një vonesë prej dy muajsh institucionet publike shëndetësore në vend janë furnizuar me vaksina, të cilat merren për t’u mbrojtur nga gripat. Vetëm pasi rreth 10 mijë qytetarë u prekën nga gripi, Ministria e Shëndetësisë filloi furnizimin me këto vaksina.

Për më pak se dy muaj rreth 10 mijë qytetarë vlerësohet se janë prekur me gripin sezonal në Kosovë, derisa mbi 1 mijë e 500 janë prekur me infeksione respiratore akute. Për t’u mbrojtur nga gripi sezonal çdo vit qytetarëve u është bërë thirrje nga institucionet e shëndetësisë të vaksinohen.

Por këtë vit, ndonëse ka pasur kërkesa për t’u vaksinuar, në këto institucione kanë munguar vaksinat, andaj edhe qytetarët nuk kanë mundur të marrin masën kryesore për t’u mbrojtur nga gripi, i cili çdo vit prek mijëra qytetarë, shkruan gazeta “Zëri”.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe për Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, vaksinat kundër gripit sezonal duhet të merren deri në fund të tetorit, por në Kosovë furnizimi me këto vaksina është bërë dy muaj me vonesë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë furnizimin me 100 mijë vaksina kundër gripit më 7 dhjetor të këtij viti.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.