Bota

Rregullatori i BE-së: Vaksina e Pfizer-it mund të mbahet një muaj në frigorifer

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se vaksina për Covid-19 e kompanive Pfizer dhe BioNTech mund të ruhet në frigorifer për shumë më shumë kohë sesa është rekomanduar më parë.

Sipas udhëzimeve të mëhershme, kjo vaksinë duhej të ruhej në temperaturë shumë të ulët – nga minus 70 deri në minus 80 gradë – deri pak ditë para përdorimit, kur mund të vendoset në një frigorifer standard.

Megjithatë, rregullatori evropian përmes një deklarate tha se e ka zgjatur periudhën e ruajtjes për shishet e pahapura të vaksinave, kur ato mbahen në temperaturë nga 2 deri në 8 gradë, nga pesë ditë në një muaj, shkruan ITV, transmeton Gazeta Express.

“Ndryshimi i miratua pas vlerësimit të të dhënave të studimit shtesë të qëndrueshmërisë, të dorëzuara në Agjencinë Evropiane të Ilaçeve nga mbajtësi i autorizimit të marketingut”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, kompania gjermane, BioNTech, tha javën e kaluar se nuk ka dëshmi që vaksina e saj ka nevojë që të përditësohet për t’i mbrojtur njerëzit kundër varianteve të koronavirusit.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka porositur 60 milionë doza shtesë të kësaj vaksine si pjesë e planeve për zgjerimin e programit të vaksinimit në vjeshtën e këtij viti.