SPORT

Rrëfimi i Triera Kasumit, zhytëses nga Prishtina që po thyen tabutë e këtij profesioni

Eksplorimi i thellësive dhe botës nënujore mund të konsiderohet si pjesë rekreative e sportit të zhytjes.

Në anën tjetër ky rekreacion hyn edhe në mesin e sporteve ekstreme për shkak se një zhytës/zhytëse duhet të ketë përgatitjen e duhur fizike e psikike për t’u përballur me sfidat nënujore.

Sporti i zhytjes nuk është edhe aq i zakonshëm në Kosovë, e sidomos për gratë. Mirëpo Triera Kasumi Berisha është një prej grave që tashmë është pjesë e Klubit të Zhytjes Prishtina, në mesin e shumë personave të tjerë.

Triera në emisionin “PasDite” me Donika Hysenin në RTV Dukagjini, tregon se më këtë sport ka filluar të merret nga viti 2013.

Rrjedh nga një familje zhytësish pasi është bija e zhytësit të njohur Ismail Kasumi, por edhe vëllai i saj merret me këtë profesion.

Prishtinasja thotë se ka pasur dëshirë të sfidoj veten edhe me zhytje shumë të thella madje deri në 300 metra nën ujë, por prindërit nuk e kanë lënë.

“Zhytje normale konsiderohet deri në 60 metra, por unë jam zhytur deri në 40 metra thellësi”, tregon ajo.

Triera thotë se për fat të mirë nuk është zhytësja e vetme në Kosovë, pasi Klubit të Zhytjes Prishtina i janë bashkangjitur edhe femra tjera.

Ajo ka marrë pjesë edhe në aksionin për gjetjen e një polici kosovar që kishte rënë aksidentalisht në lumin Lepenc në vitin e kaluar.

Thotë se është një mision i dhimbshëm dhe i vështirë, por sipas saj zgjedhja e këtij profesioni ka edhe këso momente.

Triera thotë se gjatë karrierës së saj është përballuar edhe me momente të vështira derisa ka qenë edhe në luftë me jetën.

Ka pasur shumë eksperienca nënujore, ndër të cilat përmend zhytjen me dyqind peshkaqenë, për të cilët thotë se janë shumë krijesa të dobishme për zhvillimin e jetës në det.