Kombëtare

Rrëfimi i Osman Musliut për momentin kur i pa 56 kufomat në Prekaz

Gjatë përballjes me forcat serbe të marsit të vitit 1998, u vranë 56 persona, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Hoxha Osman Musliu që ka ndihmuar në varrimin e të gjitha viktimave të këtij tmerri të fillim-marsit ka treguar rrëfimin e tij të rrallë në Zona e Debatit në Klan Kosova.

“Ka qenë ditë e hënë ose e martë kur kemi vendosur më Muratin që të shkojmë në varrimin e familjes Jashari”.

“Të dielën në mbrëmje  kemi biseduar që të shkojmë në varrim. Të hënën në mëngjes kemi dalë në qendër të fshatit Likovc, aty jemi takuar me Zekirja Canën, Cen Deskun”.
“Zekirja Canës i kishte thënë dikush që hoxha i fshatit Likovc dëshiron të shkojë në varrimin e familjes Jashari”.

“Profesori Cana na kërkoi që t’i merrnim me vete. Unë kam qenë shofer dhe jemi nisur me veturën time. Jemi nisur dhe kemi arritur në pikën mes Likovcit dhe Makërmalit kur kanë dalë ushtarët dhe na e mbyllën rrugën”.

“Kemi dalë në Makërmal, sërish na kanë dalë në pritë ushtarët. Më pas, jemi dalë në Polluzhë, kemi vazhduar në Morinë ku edhe ka qenë një punkt i serbëve”.
“Ne kemi menduar se ishim të parët por në fakt ishin tre vetura para neve, që kishin qenë të disa fshatrave të Drenasit”.

“Kur kemi shkuar në punkt, serbët e kanë parë Zekirja Canën dhe kanë filluar ta provokojnë. Më vonë,na thanë vozitni dhe ne kemi ecur – në Palac ku ishte punkti tjetër nuk na kanë dalë fare”.

“Kemi shkuar në Depon Ndërtimore rreth orës 09:00 ose 09:30, aty kanë qenë dy persona civilë që nuk i dija se kush janë. Na kanë hapur derën dhe kemi hyrë brenda”.
Hoxhë Musliu, mes lotëve, ka rikujtuar edhe njëherë gjithë ndjesitë që ka përjetuar kur i ka parë të gjitha kufomat.

“Kur i kam parë 56 xhenaze, ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë vështirë të përmbahesh dhe aty kam menduar se serbi nuk meriton t’i thuhet njeri. Sikur të ishin 56 pula ka qenë e vështirë t’i shohësh e lëre më njerëz – ka qenë traumë”.

“Nuk kam mundur t’i mendoj ndryshe pos si familjen time –  më janë dukur si baba dhe nana jem, motra dhe vëllezërit e mi– kam qenë në gjendje shumë të vështirë”.

“E kam pasë edhe një moment tjetër shumë të vështirë kur ka ardh mixha i gruas së Hamzës [Jashari]. Kur ai erdhi më tha ‘Hoxhë, ma paskan vra Hamzën dhe bijën por for për Hamzën dhe bijën nuk po mërzitna por Hamzës krejt fëmijët ia paskan vra. Hamzë Jashari i ka pasë 9 fëmijë, por mixha i gruas së Hamzës nuk e dinte se Besarta kishte shpëtuar”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.