Kosova

Rrëfimi i Besnik Hasit

Trajneri i mirënjohur nga Kosova, Besnik Hasi, në një intervistë për gazetën “Zëri” nuk ka dashur t’i komentojë zërat e fundit që e lidhin me Kombëtaren e Shqipërisë.

Besnik Hasi, që si trajner ka drejtuar skuadra si Anderlecht, Legia Warsaw, Olympiacos dhe Al-Raed, ndër të tjera e ka komentuar edhe debutimin e Përfaqësueses së Kosovës në ciklin eliminator të kampionatit evropian “Euro 2020”, teksa ka folur edhe për aventurën në Arabinë Saudite

I lindur e i rritur në Gjakovë, Besnik Hasi është njëri prej trajnerëve më të njohur nga Kosova i cili karrierën si trajner e ka ndërtuar në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Kombëtarja e Shqipërisë është në kërkim të një trajneri të ri pas largimit të Christian Panuccit, i cili u shkarkua nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbolli Armand Duka për shkak të rezultateve të dobëta.

Në medie në ditët e fundit është përmendur edhe trajneri nga Kosova, Besnik Hasi, si zëvendësues i mundshëm i Panuccit.

Gazeta “Zëri” e ka kontaktuar trajnerin nga Gjakova, i cili punon në Arabinë Saudite tek Al-Raed, por që do të largohet në maj, për ta pyetur për shkrimet e fundit të medieve që e lidhin atë me Kombëtaren shqiptare. “Nuk dua të komentoj asgjë”, ishte reagimi i Besnik Hasit për gazetën.

Vlerësimet për Kosovën

Në intervistën për gazetën “Zëri” trajneri aktual i Al-Raed flet për rezultatet e fundit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. “Disa lojtarë janë shumë cilësorë me cilësitë e tyre individuale, që faktikisht shërbejnë në mënyrë kolektive”, u shpreh Besnik Hasi për “Zërin”.

“Dardanët” e kanë një ecuri pozitive që prej vitit të kaluar.

Në 12 ndeshjet e fundit skuadra që drejtohet nga Bernard Challandes nuk di për humbje, ku ka arritur tetë fitore dhe ka regjistruar katër barazime.

Ndeshjen e fundit Kosova e zhvilloi kundër Bullgarisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke debutuar me barazim 1:1 në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020”.

“Meritat për sukseset e Kosovës i takojnë trajnerit”

Besnik Hasi ndër të tjera foli edhe për punën e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes.

67-vjeçari Challandes erdhi në krye të detyrës së trajnerit të Përfaqësueses kosovare në mars të vitit të kaluar. “Në vitin e fundit Kosova ka pasur një rritje të madhe dhe është merita e trajnerit që i ka grumbulluar këta lojtarë, si dhe që e ka zbatuar disiplinën taktike në fushë. Ndaj Bullgarisë ishim shumë më të mirë, por fatkeqësisht rastet që i kishim nuk i konkretizuam. Kishte disa mangësi, porse ka qenë një fillim i mirë”, vlerësoi Besnik Hasi.

Aventura në Arabi

Ish-reprezentuesi i Kombëtares shqiptare në verën e vitit të kaluar filloi një aventurë të re në Arabinë Saudite, ku nënshkroi kontratë njëvjeçare me Al-Raed.

Këtë sezon Al-Raed nën drejtimin e Hasit renditet në vendin e dhjetë në tabelë pas 24 javësh, por këtë aventurë Hasi e quan pozitive pavarësisht disa vështirësive që ka pasur.

“Është një aventurë shumë pozitive, është një përvojë që deri më tani unë nuk e kam pasur. Në Al-Raed i kemi dhënë stabilitet skuadrës, pavarësisht se skuadrat tjera janë përforcuar me nga shtatë-tetë futbollistë”, theksoi Besnik Hasi.

Më tej ai ka treguar se ka kontratë njëvjeçare me klubin arab dhe se ka refuzuar zgjatjen e kontratës. “Ambiciet në klub nuk kanë qenë të jemi më lart dhe kështu edhe pse kam punuar me një klub të vogël kemi arritur rezultate. Kam kontratë njëvjeçare, drejtuesit e klubit kishin ardhur tek unë për zgjatjen e kontratës, por nuk jam i mendimit të qëndroj edhe për një sezon”, përfundoi 47-vjeçari Besnik Hasi.

Fakt

Besnik Hasi karrierën si trajner e ka nisur në Anderlecht, fillimisht si ndihmëstrajner nga viti 2008 e deri në vitin 2014, ku në atë vit edhe e fitoi punën si kryetrajner.

Pas dy vjetësh, ku i fitoi të gjithë titujt e mundshëm në Belgjikë, ai vazhdoi karrierën në Poloni për një vit te Legia Warshaw.

Për një kohë e drejtoi edhe klubin grek Olympiacos.

Në verën e vitit 2018 ai nisi një “mision” të ri në Arabinë Saudite me Al-Raed, aventurë e cila pritet të përfundojë në maj

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.